Qindra të rinj u përleshën me policinë në sheshin Syntagma të Athinës në ditën e përkujtimit të vrasjes të të riut, Alexis Grigoropoulos.

Manifestimi nisi i qetë, por në momentin kur protestuesit mbërritën në sheshin Syntagma, që ndodhet para godinës së parlamentit grek, kanë nisur përleshjet me policinë dhe forcat e tjera të sigurisë.

Protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të forcave të rendit, ndërkohë që këto të fundit u janë përgjigjur nga ana e tyre me gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Në rrjetin social Twitter dhjetra të rinj raportojnë për një “luftë” në sheshin Syntagma. Mediat vendase flasin për një përshkallëzim të protestave në orët e mbrëmjes, si në Athinë ashtu edhe në Selanik.

Në 6 dhjetor të vitit 2008, në një nga lagjet kryesore të Athinës u qëllua për vdekje nga policia 15-vjeçari, Alexis Grigoropoulos. Vrasja e tij pasoi ditë të tëra dhune e një valë shkatërrimesh në Athinë e në shumë qytete të tjera greke. Që prej asaj kohe, mijëra të rinj, në ditën përkujtimore të vrasjes së tij, protestojnë dhunshëm kundër forcave të rendit, edhe pse polici që qëlloi mbi të, aktualisht vuan dënimin me burgim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA