
Komiteti për Vlerësimin e Sigurisë në Mitrovicë konsideron se Barrikadat
vazhdojnë të mbeten problem dhe të pengojnë jetën normale në veri të
vendit.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se situata e sigurisë vazhdon të jetë e tensionuar, meqë rrugët mbeten të bllokuara nga barrikadat. “Kjo situatë ka rënduar së tepërmi gjendjen e qytetarëve, sidomos të atyre joserbë, të cilët kanë probleme të mëdha për lëvizje dhe për furnizim me gjëra elementare”, tha Haziri, bën të ditur Telegraf.
Ai ka dënuar sulmet që kanë ngjarë kundër trupave të KFOR-it nga grupet serbe në veri. Tha se ky fakt dëshmon për seriozitetin e situatës, meqë grupet ekstremiste serbe nuk janë duke kursyer askënd për ta penguar normalizimin e gjendjes.
Ai tha se pret që situata të relaksohet pas arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit
Situatën e ka përshkruar të tensionuar edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala. Ai tha se ka pasur një numër incidentesh, të cilat kanë shqetësuar banorët.
Ai ka përmendur një rast që ka ndodhur gjatë fundjaves, kur banorët e Kroit të Vitakut janë ankuar për të shtëna armësh në drejtim të tyre nga lokalitet e banuara me serbë. “Këto incidente janë duke ndikuar në ndjenjën e sigurisë së banorëve, të cilët megjithatë janë duke u treguar të përgjegjshëm”, vlerësoi Bala.
Bala foli edhe për shpërndarjen e afisheve nga UNMIK-u në Kroin e Vitakut, ku kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive atje. Tha se kjo administratë përkundër rolit të kufizuar që ka është duke provokuar situatën, në vend që ta bëj të kundërtën.
Top Channel