Nënpresidenti amerikan Joe Biden premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Greqinë, ndërkohë që kjo javë do të jetë vendimtare për të ardhmen e monedhës së përbashkët evropiane, euron, e cila ndodhet nën trysninë e borxheve gjigande.

Sipas “VOA”, duke folur sot në Athinë, nënpresidenti amerikan tha se Uashingtoni është në solidaritet me Greqinë tani që ajo po përpiqet për të përmbushur standardet e vështira financiare të vendosura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.

“Është në interes të Shteteve të Bashkuara që Greqia ta kapërcejë krizën financiare dhe të mbetet një pjesë e fortë dhe e gjallë e Bashkimit Evropian”, theksoi zoti Biden.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për ta ndihmuar Greqinë në çdo mënyrë të mundshme.

Ai u takua me presidentin grek Karolos Papulias dhe kryeministrin e sapozgjedhur Lucas Papadhimos, si dhe me udhëheqësit e partive kryesore që mbështesin qeverinë e re të koalicionit.

Në programin e tij të vizitës përfshihej edhe një takim me ish-kryeministrin dhe udhëheqësin socialist, Jorgos Papandreu, si dhe me udhëheqësin e konservatorëve, Antonis Samaras.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA