Përfaqësues të komandës së KFOR-it kanë konfirmuar se ka nisur largimi i barrikadave serbe të vendosura në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
“Serbët kanë nisur të heqin barrikadat dhe ky është një hap i madh përpara”, ka deklaruar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki për “REL”.
Konfirmimi vjen disa orë pasi mediat serbe raportuan për arritjen e një marrëveshjeje për lëvizjen e lirë mes liderëve serbë dhe përfaqësuesve të KFOR-it në rrugën Zvecan-Zubin Potok, në fshatin Jagenicë.
Në fshatin në fjalë javën e kaluar trupat ndërkombëtare bënë përpjekje për largimin e barrikadave, por hasën reagimin me armë zjarri të serbëve që ruanin objektet.
Gjithësesi, zëdhënësi Uve Novicki është shprehur optimist për marrëveshjen e arritur. “Nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të kemi liri lëvizjeje në komunën e Zubin Potokut”, ka thënë ai.
I njëjti burim shton më tej se barrikadat janë lëvizur vetëm në këtë komunë, ndërkohë që në pjesët e tjera të veriut të Kosovës ato vazhdojnë të jenë të pranishme.
Bisedimet e mëparshme mes kryetarit të komunës paralele të Zubin Potokut, Sllavisha Ristic dhe përfaqësuesve të KFOR-it për zhbllokimin e situatës kishin dështuar.
Largimi i barrikadave vjen pas arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit mes Prishtinës dhe Beogradit, në raundin e radhës të bisedimeve në Bruksel.
Situata në veri të Kosovës bëri që faktori ndërkombëtar, në vecanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shprehte shqetësimin e tij.
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker deklaroi disa ditë më parë se Ballkani Perëndimor duhet të zgjidhë sfidat për të qenë në një hap me vendet e tjera europiane.
Top Channel