“Ky kryeministër po tregohet për cdo ditë e më i dëmshëm për Kosovën, pra për ta ruajtur pushtetin e vet po e dëmton shumë Kosovën, rrjedhimisht duke u nisur nga kjo do të nisim me mbledhjen e nënshkrimeve të deputeteve të Kuvendit të Kosovës për ëe paraqitur mocionin e mosbesimit për kryeministrin Thaci”, tha Visar Ymeri, deputet i “Vetëvendosje”.
Qëndrimi i Vetëvendosjes për të shkarkuar qeverinë e kryeministrit Thaci, vjen dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deputetet e Vetëvendosjes,Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca, akuzuan kryeministrin Hashim Thacin se me këtë marrëveshje ka hequr dorë nga shtetësia dhe pavarësia duke e kthyer Kosovën në një shtet të varur nga Serbia.
“Serbia ka arritur të ecë drejt BE-së, pa bërë asnjë koncesion për Kosovën dhe kjo falë qeverisë së Kosovës që nuk e pa të arsyeshme të nxirrte kushte dhe përfitime duke ia kushtëzuar hyrjen Serbisë në BE. Kjo është politikë anti-shtetërore”, tha Glauk Konjufca, deputet i “Vetëvendosjes” në Kuvendin e Kosovës.
Vetëvendosjes do t’i duhen 40 nënshkrime ngadeputetet për ta dërguar mocionin në kuvend. Procedurat shkojnë në atë drejtimse nëse rrëzohet qeveria, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pas 45 ditësh.
Shefi i grupit parlamentar të Vetevendosjes, Visar Ymeri paralajmëroi se nga e hëna do të nisin bisedat me subjektet e tjera parlamentare. Ai beson në mbeshtetjen e tyre, nisur nga fakti se të gjitha partitë opozitare janë deklaruar kundër bisedimeve me Serbinë.
Vetëvendosje dërgoi kritika të ashpëra edhe në adresë të Bashkimit Europian. Kushtëzimi vetëm me heqjen e barrikadave sipas Vetëvendosjes nuk mjafton. Serbia duhet të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës, shpërbërjen e strukturave paralele, kthimin e të pagjeturëve etj.
Ndërkaq që nga dita në ditë politika e BE-së ndaj Kosovës po formësohet në bazë të politikës së Serbisë. Sipas Vetëvendosjes me avancimin e Serbisë drejt BE-së do ta pësojnë jo vetëm kosova, por edhe shtetet ne rajon që nuk i do Serbia, sic është Shqipëria.
Reagon qeveria
Zëvendës/kryeministri i Kosovës Hajredin Kuci kërkoi nga levizja Vetëvendosje që para se të dorëzojë mocionin në Kuvend të lexojë marrëveshjen e arritur dhe ta krahasojë atë me kriteret dhe kërkesat e BE-së në këtë fushë.
Ai në një prononcim nëpërmjet telefonit megjithatë e quajti të drejtë demorkatike dhe ligjore iniciativen e Vetëvendosjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka paraqitur akoma qëndrimin e saj për marrëveshjene arritur në Bruksel. Rrjedhimisht ky subjekt parlamentar nuk është përgjigjur as në pyetjet lidhur me iniciativen e Vetëvendosjes për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Thaci.
Nga ana tjetër subjekti opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se nuk e preferon shumë rrëzimin e qeverisë me mocion votëbesimi. Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani tha nëpërmjet telefonit se kjo cështje fillimisht duhet të shqyrtohet në parti.
Por ai shtoi se mocioni i votëbesimit nënkupton se Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat sic tha Ramadani do të karakterizohen me vjedhje votash nga Hashim Thaci dhe SHIK-u.
Sipas Burim Ramadanit në këtë situatë më e përshtatshme do të ishte krijimi i një qeverie kalimtare deri në reformimin e sistemit zgjedhor për të cilin aktualisht po punohet.
Top Channel