Qeveria e Kosovës ka bërë publike përfundimet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë së premtes mbrëma në Bruksel.

Të dyja palët, si Kosova dhe Serbia, shkurtesën IBM, që zakonisht i referohet “menaxhimit të integruar të kufirit” do të mund ta intepretojnë sipas interesave të tyre, kjo pasi siç sqarohet në letrën e konkluzioneve, njëra palë e njeh vijën si “kufi”, në këtë rast Kosova, ndërsa pala tjetër, Serbia, e njeh vijën si “kufi administrativ”.

Janë gjithësej 8 konkluzione për të cilat palët kanë rënë dakort, pas bisedimeve maratonike. Në pikën dy shkruhet se palët nën drejtimin e përgjithshëm të BE-së, do ta zbatojnë konceptin IBM. Palët kanë për qëllim që të instalojnë gradualisht objekte të përbashkëta dhe të sigurta në të gjitha vendkalimet e tyre të përbashkëta të IBM-it.

Këto objekte të përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta, do të vendosen brenda një zone të përbashkët të vendkalimeve, të shënuara bashkërisht, ku zyrtarët e secilës palë kryejnë kontrollet përkatëse.

Siç thuhet në këtë marrëveshje, përjashtimisht dhe kufizuar vetëm në zonat e përbashkëta të vendkalimeve të IBM-it, palët nuk do të shfaqin simbolet e juridiksioneve të tyre përkatëse. Misioni i Bashkimit Europian, EULEX, do të jetë prezent në të 6-të pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

Palët janë marrë vesh që “në thelb të marrëveshjes do të jenë përgjegjësitë dhe detyrimet e qarta ligjore në fuqi sipas juridiksionit të secilës palë”. Ndërsa, në konkluzionin e parafundit shpjegohet se do të jetë “një grup trepalësh implementues, i kryesuar nga BE, që do të formohet për zbatimin e marrëveshjeve të lartëpërmendura, sa më parë që të jetë e mundur”.

Po në këtë pikë thuhet se për këtë qëllim një “Protokoll Teknik” do të hartohet dhe nënshkruhet, nëse është e nevojshme ndarazi me BE-në, që do t’i marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme të palëve lidhur me çështjen e statusit”.

Në konkluzionin e fundit, të tetin, precizohet se “kjo marrëveshje nuk përfshin asnjë çështje të përgjithshme ose të veçantë që ka të bëjë me çështjet e importit”.

Këto konkluzione u arritën pas 30 orë negociatash, në raundin e fundit të dialogut teknik për këtë vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA