Gjykata për krimet e luftës në ish-Jugosllavi po redukton numrin e akuzave ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic, për shkak të frikës mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorëve për të shkurtuar numrin e akuzave në padinë ndaj tij nga 196 në 106, me qëllim gjykimin më të shpejtë të gjeneralit.

Gjyqtari Bakone Moloto ka deklaruar se vendimi u mor në bazë të interesave për një proces të drejtë dhe të shpejtë.

Gjenerali Mlladic u arrestua në muajin maj në një fshat të Serbisë, jo shumë larg Beogradit, pas pothuajse 16 vitesh në arrati.

Ai akuzohet për genocid të ushtruar në Srebrenicë, ku rreth 7500 burra dhe djem myslimanë u vranë barbarisht në korrik të vitit 1995.

Ai përballet gjithashtu me akuzën për rrethimin 43-mujor të Sarajevës, nga maji i vitit 1992 në nëntor të vitit 1995. Gjykatësi ka urdhëruar prokurorin që të hartojë një dosje me padinë e amenduar brenda dy javëve.

Muajin e kaluar, gjykata urdhëroi një kontroll total mjekësor të Mlladic, i cili u lejua të shtrohej në spital pasi avokati i tij tha se vuante nga pneumonia.

Një mjek ekspert i caktuar nga gjykata pritet të raportojë sërish më 6 dhjetor. Në vitin 2006, ish-presidenti jugosllav Sllobodan Milloshevic vdiq në qenlinë të tij në burgun e Hagës.

Në tetor, gjykata refuzoi një kërkesë nga prokurori për të ndarë padinë ndaj Mlladic, në mënyrë që të gjykohej më vete për akuzën e lidhur me masakrën e Srebrenicës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA