“Microsoft” prezanton risitë për tregun shqiptar

03/12/2011 08:25

U zhvillua të premten, për të tretin vit radhazi, konferenca më e madhe teknologjike në vend, “Microsoft Day”, evenimenti që mbledh çdo vit profesionistët më të mirë të IT dhe menaxherë të biznesit.

Sivjet në fokus ishin teknologjitë e fundit, si të rejat e Windows Phone Mango, Shërbimet Microsoft, HP: Green IT, Konsumerizmi i IT, Lync2010, Forefront Identity Management, SQL Bussines Intelligence etj.

Sipas raportimeve të gazetës “Shqip”, pjesëmarrës aktiv i konferencës ishte edhe z. Genc Pollo, ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit, i cili vlerësoi rolin e ‘Microsoft’ në Shqipëri.

Si pararendës të teknologjisë, organizatorët e konferencës e mundësuan ndjekjen e saj edhe online. Padyshim që risia e këtij viti ishte Windows Phone, sistemi i ri operativ nga ‘Microsoft’ për telefonat celularë.

Me karakteristika moderne si ndërfaqe e pastër dhe akses të thjeshtë, ata përqafojnë programe të përditësuara që ju tashmë i njihni fort mirë si Outlook, Office dhe Internet Explorer.

Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe prezantimin e ri HP MultiSeat të Microsoft, që ul ndjeshëm kostot e PC në vendet e punës, nëpërmjet një përvoje të përbashkët kompjuterike.

Trendi i përgjithshëm i ‘Microsoft’ sivjet ishte përgjigjja ndaj nevojave aktuale të punës gjithmonë e më shumë në lëvizje.

Nevojat e të punuarit jashtë ambienteve të zyrave kanë marrë nga ‘Microsoft’ përgjigje si Microsoft-Office 365, që ofron paketa mujore të Microsoft Office, Microsoft SharePoint Online, Microsoft Exchange Online, Microsoft Lync Online.

U prezantuan edhe teknologji specifike që i japin mundësi biznesit të fokusohet në pikat e veta më të rëndësishme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA