Vetëm pak orë pasi Kosova dhe ai i Serbia arritën marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufirit”, subjektet politike opozitare kanë kundërshtuar me deklarata të fuqishme.
Në Levizjen Vetëvendosje, si forca e tretë parlamentare, deklarojnë se përmes kësaj marrëveshjeje, rinkofirmohet se nuk ka kufij shtetërorë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me këtë marrëveshje vihet re problemi më i madh i Kosovës, sepse edhe kësaj radhe rikonfirmohet se nuk ka kufij shtetërorë mes Kosovës dhe Serbisë, pikërisht aty ku kemi nevojë të tregojmë më së shumti se ekzistojnë. Është reduktuar në “pikë kufitare” ky term, për shkak që ideja është të kemi një term neutral, që mund të intepretohet nga të dy palët sipas qejfit të tyre. Por mos të harrojmë se pikërisht se është lënë të interpretohet nga të dy anët, gjendja praktike në terren po tregon se është në favor të Serbisë”, deklaron Dardan Molliqaj, Sekretar Organizativ, Vetëvendosje.
Sipas Molliqajt, përmes marrëveshjes i jepet fuqizim i madh në pikat kufitare me Serbinë, EULEX-it dhe se sipas tij kjo është e dëmshme meqë ky mision i njeh ato si “vijë administrative” e jo si “kufij”.
Në anën tjetër, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se “Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga sovraniteti ose kufijtë e Kosovës”, duke bërë marrëveshje për “pikë-kalime” kufitare e jo për “kufij”.
“Prej asaj që ka dalë në publik, sepse dokumentin nuk e kemi ende, është e qartë se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga sovraniteti ose nga kufijtë e Kosovës, duke bërë marrëveshje për “pikë-kalime” dhe nuk flitet fare për kufij. Kjo është një e keqje e madhe totale e konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Dhe është përfundimisht ngulje e thikës pas shpine shtetit gjerman që ka qenë kampion në mbrojtjen e interesit të Kosovës ose në ndaljen dhe kushtëzimin e rrugës së Serbisë drejt BE-se me normalizimin e situatës në Kosovë”, thotë Burim Ramadani, deputet i AAK.
Sipas Ramadanit, AAK kërkon që marrëveshja në fjalë të vijë në Kuvendin e Kosovës për të kaluar nëpër procedurat e organit të zgjedhur nga populli.
Siç thuhet, Bashkimi Europian, për t’i knaqur të dy palët u është shmangur fjalëve “kufij” dhe “linjë administrative”, duke përdorur fjalën “pikëkalime”.
Top Channel