Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka deklaruar se ngjarjet e fundit në
veri të Kosovës janë organizuar nga grupe kriminale serbe, të cilat
sipas tij synojnë ndarjen e shtetit të ri.

I cituar nga agjencia e lajmeve “INA”, Engel ka theksuar se Kosova do të mbetet 100 për qind e bashkuar dhe ka shtuar se territori i saj është i paprekshëm.

“KFOR-i duhet të marrë masa për largimin sa më parë të barrikadave të krijuara nga grupet kriminale. Kosova nuk mund të jetë 100 për qind e plotë pa pjesën veriore. Nuk ka Kosovë 90 për qind apo 10 për qind, Kosova është 100%”, ka deklaruar Engel.

Kongresmeni demokrat ka folur më tej edhe për rrugën e kombit, të cilën e ka cilësuar si një projekt madhor që po hap kufijtë e shqiptarëve.

“Kjo rrugë, e cila lidh dy vendet, po ndërtohet në një kohë kur Kosova dhe Shqipëria janë për hapjen e kufijve të tyre me vendet e tjera”, ka vlerësuar Engel.

“Ndërsa në Serbi autoritetet po i mbyllin kufijtë e tyre, sic janë duke bërë bllokimin e rrugëve në veri të Mitrovicës. Por KFOR-i dhe misionet e tjera nuk do ta tolerojnë paligjshmërinë në kufi, as strukturat paralele dhe as shkeljen e ligjit, nga kushdoqoftë”, ka shtuar kongresmeni.

Edhe muajin e kaluar Engel, i njohur ndryshe si avokati i pavarësisë së Kosovës, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të zgjidhë sa më shpejt situatën në veriun e shtetit të ri.

Po në nëntor, Engel ishte në Kosovë për përurimin e segmentit të parë të autostradës “Ibrahim Rugova”, pjesë e Rrugës së Kombit, ku dha një mesazh të fuqishëm për shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA