Zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Deliç, në një takim me homologun e tij francez në Paris, deklaroi se Beogradi është i gatshëm të bisedojë për disa çështje me Kosovën, por bëri të qartë që pavarësia jo vetëm që s’është në tavolinën e bisedimeve, por “as që ka për t’u marrë kurrë konsideratë nga Serbia”.
“Nuk pres që Kosova të njihet ndonjë ditë nga Serbia. Jo vetëm që kjo nuk do të ndodhë tani, por do të befasohesha nëse do të ndodhë edhe në një të ardhme sado të largët”, u shpreh Deliç, siç raportonte të premten e përditshmja serbe “B-92”.
I pyetur për çështjen e barrikadave, ai theksoi se e vetmja rrugëzgjidhje për një zgjidhje të pranueshme, që të lejojë të dy shtetet të bashkëjetojnë paqësisht, është plani prej katër pikash i prezantuar nga presidenti Boris Tadiç, në mbledhjen e OKB-së në Nju Jork.
“Hapat që duhet të ndërmerren janë katër. Status i veçantë për veriun e Kosovës, status dhe garanci për sigurimin e vendeve të shenjta serbe në Kosovë, garantimi i sigurisë së serbëve në jug të lumit Ibër si dhe zgjidhja e çështjeve pronësisë së serbëve në Kosovë”, theksoi Deliç.
Gjithashtu, Desiç e cilësoi si të habitshme idenë e përhapur për një pazar territoresh, ku Serbia do të njihte pavarësinë, nëse do të merrte tokat e banuara nga serbët në veri të Mitrovicës. “Ne e konsiderojmë Kosovën si një pjesë të shtetit serb. Nuk besoj se ka ndonjë shtet në botë që të negociojë për ndarjen e territorit brenda shtetit”, komentoi Desiç.
Sipas tij, Serbia është e gatshme që të arrijë një marrëveshje historike në bashkëjetesën midis serbëve dhe shqiptarëve, duke u frymëzuar nga marrëveshje të së shkuarës, si ajo midis dy Gjermanive për më shumë se dy dekada, ajo mes Hong Kongut dhe Kinës apo e Tirolit të ndarë midis Austrisë dhe Italisë. Nga ana e saj, Franca e deklaroi veten si një partner kyç në shpresat serbe për antarësimin në BE.
Ndërtohen tre barrikada të reja
Përveç fjalëve të zëvendëskryeministrit, “B-92” raporton edhe për ndërtimin e tre barrikadave të reja në veri të Kosovës, pranë pikës doganore të Jagnjienicës. Pavarësisht kërkesës së presidentit Tadiç për largimin e tyre, këto thirrje duket se janë injoruar gjerësisht.
Ndërtimi i barrikadave të reja tensionon edhe më tepër situatën midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili sipas autoriteteve kosovare, mbështet fshehurazi këto ngjarje. KFOR-i gjithashtu ka theksuar se heqja e 22 barrikadave të ndërtuar deri tani është një kusht i domosdoshëm për rifillimin e bisedimeve.
Top Channel