Kriza e sistemit energjitik

02/12/2011 00:00

Duke marrë shkas nga situata e vështirë energjitike dhe diskutimet e
fundit mbi rritjen e cmimit, dy deputetë të opozitës Erjon Brace dhe
Andis Harasani thone se sektori energjitik është keqqeverisur.

Ata kërkojne kryerjen e nje kontrolli te pergjithshem financiar mbi te gjitha kompanite me aksione shteterore.

“Meqënëse autoritetet shtetërore vazhdojnë të mbajnë të dhënat në terr, lidhur me zinxhirin e borxheve që ka përfshirë sistemin tonë energjitik dhe që nuk po zgjidhet, mendoj se ka ardhur momenti që parlamenti të marrë në dorë kontrollin, auditimin e financave të këtyre ndërmarrjeve monopol dhe të informohet deri në detaje për zinxhirin e borxheve brenda sektorit energjitik”, tha Brace.

Ndërkohë Harasani u shpreh: “Eshtë e patolerueshme që kompania CEZ pas dy vjet operimesh në Shqipëri nuk ka bërë asnjë investim dhe vazhdon kërkon vetëm rritjen e cmimit. Mjafton të shikohet cmimi për familjarët nga 2005 deri më sot, që është rritur mbi 250-300 përqind, ndërsa niveli i arkëtimeve, nëse në 2005 ishte diku te 81 përqindëshi, në 2008 shkoi 86-87 përqind, sot ka zbritur në nivelin e 70 përqindëshit, që tregon paaftësi dhe joseriozitet nga ana e kompanisë ceke”.

Erjon Brace thotë se sektori energjitik është zhytur në një krizë të dyfishtë prodhimi dhe financiare pikërisht për shkak të monopoleve, por edhe disa politikave të caktuara të qeverisë, sipas tij, klienteliste.

“Disa favore që qeveria ka vendosur prej vitit 2007 për një grusht kompanish private, që konsumojnë gati deri në 15 të energjisë elektrike në këtë vend dhe që konsistojnë me blerjet e energjisë elektrike me cmimet më të lira edhe se sa konsumatorët familjarë, edhe se sa pensionistët në këtë vend, kanë sjellë si pasojë këtë situatë, këtë zinxhir borxhesh mes tre kompanive brenda sistemit energjitik shqiptar”, tha Brace.

Sipas Braces, tani qeveria po kërkon tja ngarkojë qytetarëve kostot e krizës përmes rritjes së cmimit dhe ndërprerjeve të energjisë.

“Në buxhetin e shtetit nuk ka para, pavarësisht deklaratave të ministrit të Financave, nuk ka para për të subvencionuar KESH-in, nuk ka para më për këtë vit as për rimbursimin e cmimit, të energjisë elektrike për familjet në nevojë. Kjo e bën akoma edhe më të vështirë nga pikëpamja sociale, përballimin e krizës energjitike”, tha Brace.

Harasani i cilëson propozimin e CEZ për të mos kërkuar rritje të cmimit të energjisë, në rast se qeveria i shlyen borxhin, si një kërcënim të papranueshem.

“Kompania CEZ është qoftë në kontratë, qoftë në qëllimin e punës, është ajo përgjegjëse për të mbledhur faturën e energjisë dhe borxhet. Nuk ka askush pse të vuajë për paaftësinë e CEZ”, tha Harasani.

Sektori energjetik është zhytur në një zinxhir borxhesh, ku të tre kompanitë i kanë detyrime miliona euro njëra-tjetrës. Por kjo situatë përfshin edhe kompani të tjera publike, jashtë sektorit energjetik, për të cilat CEZ pretendon se i kanë borxh shuma të konsiderueshme.

Top Channel