KESH, importi i shtrenjtë

02/12/2011 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare,
Ëngjëll Zeqo thotë se kriza e energjisë, që ka prekur rajonin, po rrit me
shpejtësi cmimet në treg.

“I gjithë rajoni është në një krizë prodhimi për shkak të thatësirës. Situata është e vështirë në të gjithë Europën dhe duke qenë e tillë raporti ofertë-kërkesë bën edhe ndryshimin e cmimit. Duke qenë edhe një kërkesë shumë e madhe ka cuar në rritjen e cmimit, pasi gjithë vendet e rajonit po importojnë”, tha Zeqo.

Kreu i KESH-it thotë se kjo nuk e rrezikon furnizimin me energji të vendit, por sjell rritje të faturës që Shqipëria duhet të paguajë për importin.

“Kjo është e garantuar me kontratën që ne kemi dhe nuk përbën ndonjë rrezik për pjesën e energjisë. Kontratat janë shumë të besueshme, të garantuara dhe pjesa e prodhimit të energjisë garantohet prej prodhimeve të tjera alternative”, tha Zeqo.
 
Qeveria u detyrua të jepte mbështetjen e parë financiare për Korporatën, e cila gjithsesi mjafton vetëm për të mbyllur faturat e këtij fundviti.

“Ne kemi mbështetje për faturat nga qeveria për pagesën e faturave të importit, që i takojnë muajve nentor-dhjetor. Fatura shkon rreth 5-6 miliardë lekë”, sqaron Zeqo.

Por kriza nuk përfundon me fundin e vitit. Pasiguritë më të mëdha lidhen me vitin tjetër, ku nëse thatësira vazhdon KESH-it do t’i nevojiten të tjera financime të mëdha.

“Nëse do të marrim këtë nivel cmimesh, nëse do të marrim maksimumin e mundshëm të importit, që ne duhet të bëjmë, kjo kalon në një faturë mbi 100 milionë euro. Ka dy mundësi për të siguruar, nëpërmjet pagesave të CEZ-it dhe mbështetjes se qeverisë për pagesat e këtyre faturave”, tha kreu i KESH.

Shqipëria është duke importuar sasi rekord energji deri në 17 milionë kilovat orë në ditë, për të plotësuar nevojat e tregut vendas. Rezervat hidrike janë në pikat më të ulëta, rreth 259 metër në Fierzë, pranë nivelit ku hidrocentrali nuk prodhon më.

Top Channel