Hipotekat, Tiranë, nis regjistrimi

02/12/2011 08:20

Në Shqipëri po ndërtohet sistemi i ri i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në ligjin e ri, i cili synon regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, raportoi “Shqip” në numrin e së premtes.

Procesi po realizohet nën drejtimin e kryeregjistruesit të Shqipërisë, Arben Qirjako. Në vijim të ndërtimit të sistemit të ri të regjistrimit për Tiranën, të premten hipoteka nisi zbatimin e procesit për zonën kadastrale nr. 8110, saktësisht në adresën, rruga “Myslym Keta”, përballë market “Allushi”, Tiranë.

Periudha e afishimit publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike, pra mbyllet më 15 janar 2012. “Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në zonën kadastrale nr. 8110, janë të ftuar të verifikojnë regjistrimin fillestar të pasurive të tyre”, njoftoi dje zyra qendrore.

Mësohet se, procesi i regjistrimit fillestar është falas për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme. Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Tiranë.

Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së afishimit publik, informon kjo zyrë.

Top Channel