Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve në ditën e 3-të të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE.

Propozimi i Robert Kuper ishte pranuar një natë më parë nga pala kosovare, por jo nga delegacioni serb.

Sipas kryesueses Edita Tahiri, refuzimi i Beogradit vinte për shkak të premtimeve publike të politikanëve serbë në lidhje me pikat kufitare 1 dhe 31 që ndodhen në territorin e Kosovës.

“Me menaxhimin e integruar të kufirit përfshihen 6 vendkalime kufitare
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë marrëveshje janë mbrojtur
interesat kombëtare të Kosovës dhe është respektuar Kushtetuta e
Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

BE dhe SHBA ushtruan presion duke mbajtur delegacionet për 3 ditë rresht deri në arritjen e marrëveshjes, detajet e së ciles do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Pas kësaj marrëveshje, Prishtina mund të përfitojë nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, gjë që në fakt ishte rekomanduar në tetor nga komisioni europian.

Ndërsa Beogradi mund të përfitojë marrjen e statusit kandidat nëse Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të BE-së bien dakord në Këshillin e Ministrave të së hënës. 

Por një ndikim të rëndësishëm tek pala serbe duket se e ka pasur edhe deklarata e kancelares gjermane Angela Merkel, që tha se Serbia nuk i ka përmbushur ende kushtet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. 

Pas kësaj deklarate, shumë analistë e politikanë serbë reaguan duke sugjeruar largimin e barrikadave në veri të Kosovës dhe më shumë angazhim nga qeveria e Beogradit për marrjen e statusit të vendit kandidat. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA