Vlorë, në pranga 3 punonjës të zyrës së postës

01/12/2011 10:15

Policia e qytetit të Vlorës ka ndërmarrë një operacion kundër disa funksionarëve publikë lokalë, duke arrestuar tre prej tyre për abuzim me anë të detyrës.

Burime policore lokale njoftojnë se në pranga ka përfunduar punonjësja e zyrës së postës, Yllka Gjondeda, e cila akuzohet se ka falsifikuar firmat e 375 pensionistëve në listën e pagave. Sipas burimeve, dyshohet se përmes falsifikimeve Gjondeda ka përfituar rreth 7 milionë lekë.

Në kuadër të operacionit, të koduar me emrin “Postieri”, në pranga ka përfunduar edhe punonjësi Bernard Haxhiu, i cili tërhiqte pensionin e një personi të vdekur para një vit.

Personi i fundit që është ndaluar është shtetasi Osman Sulaj, punonjës në zyrën postare në Vllahinë, i cili kishte falsifikuar firmën e një personi dhe merrte pensionin e invaliditetit.

Rreth dy javë më parë, policia e qytetit bregdetar arrestoi për akuza analoge ish-drejtorin e zyrës së hipotekës së Vlorës, shtetasin Edmond Banushi. Burime policore lokale bënë të ditur se Banushi akuzohej për falsifikim dokumentesh.

Ai po hetohej në gjendje të lirë për një cështje që kishte gjithashtu lidhje me falsifikimin. Banushi kishte qenë në krye të zyrës së hipotekës së qytetit jugor dy vjet më parë.

Top Channel