Urdhër-arresti për Ilir Kumbaron

01/12/2011 00:00

Ka marrë një kthesë cështja ndaj shtetasit Ilir Kumbaro, ish-funksionar i
Shërbimit sekret shqiptar për te cilin është kërkuar ekstradimi.
Gjykata urdheroi arrestimin e Kumbaros por ai nuk po gjendet.

Korrespondenti i Top Channel në Londër, Arben Manaj raportoi se prokurorja e cështjes, e cila është përfaqësuese e palës shqiptare, i kërkoi gjykatësit të cështjes, lëshimin e urdhër-arrestit, pasi sic tha ajo, ‘nuk kemi të bëjmë me një rast të thjeshtë ekstradimi’.

“Ilir Kumbaro,- sipas prokurores- ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ka kërkuar azil politik me identitet të rremë dhe ka mjetet në dispozicion për t’u zhdukur dhe për t’iu shmangur drejtësisë”. Sipas prokurores, mosparaqitja është ‘jokonforte’ për autoritetet shqiptare.

Ndërkohë avokati mbrojtës i Kumbaros, në gjendje ankthi për misterin e vendndodhjes së klientit të tij, tha se kishte biseduar në telefon me klientin e tij dhe konfirmoi se Ilir Kumbaro ishte paraqitur në një stacion policie për t’u regjistruar, por, sic ishte edhe kushti i lirimit të tij, një ditë më parë në orën 14:00 të pasdites, kur ende nuk dinte gje.

Pasi dëgjoi kërkesat e avokatit dhe prokurores, gjykatësi i cështjes vendosi që cështja të shtyhet deri në orën 12:00 sipas orës lokale, në pritje te ardhjes së Kumbaros, i cili praktikisht nuk u paraqit.

Korrespondenti sqaron se vendndodhja e Kumbaros mbetet mister; avokati mbrojtes tha se ishte kontaktuar familja dhe spitalet, por nuk saktësoi nëse ishte kontaktuar apo jo klienti i tij. Ende nuk dihet se ku ndodhet Ilir Kumbaro, ai mund të ketë një arsye të fortë për mosparaqitjen, por kjo nuk do të thotë që urdhër-arresti të mos ekzekutohet dhe policia britanike të mos nisë kërkimin e Ilir Kumbaros, nëpër porte, aeroporte, stacione treni etj.

Urdhëri i arrestit është lëshuar dhe tani mbetet ndoshta vetëdorëzimi i Kumbaros. Edhe nëse ai paraqitet vetë në gjykatë ose dorëzohet, një gjë është e sigurt: këtej e tutje Kumbaro nuk mund të zhvillojë dot betejën ligjore kundër ekstradimit në Shqipëri në gjendje të lirë. Eshtë interesant fakti se Ilir Kumbaro nuk ka patur pajisje elektronike që u vendoset njerëzve në raste të tilla, për të monitoruar lëvizjet e tij. Tani e tutje nëse Kumbaro do të bjerë në duart e drejtësisë, do të gjykohet në gjendje arresti, deri në pritje të vendimit përfundimtar.10 mijë stërlinat e vendosura si garanci për Kumbaron do të konfiskohen nga shteti britanik. Saga  e Kumbaros tani hyn në një fazë të re dhe me shumë të panjohura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB