Thaci: S’ka bisedime me strukturat kriminale

01/12/2011 00:00

Kryeministri kosovar Hashim Thaci ka deklaruar sot se është i gatshëm të
bisedojë me qytetarët serbë të veriut, por në asnjë mënyrë nuk do të
komunikojë me strukturat ilegale kriminale.

“Është detyrimi im kushtetues dhe ligjor, por edhe si qytetar, që të komunikoj më të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim etnie, të sqarojmë proceset që po kalojmë, të orientohen nga Prishtina dhe të distancohen nga mashtrimi 12-vjecar i Beogradit”, ka deklaruar Thaci.

Kryeministri ka vlerësuar se, komunikimi është rruga e vetme për fillimin e zgjidhjeve të problemeve të grumbulluara gjatë viteve të tëra status quo-je.

“Por, në asnjë rrethanë, nuk do të ketë komunikim me strukturat ilegale dhe kriminale. Ato do të përballen me drejtësinë. Atje nuk ka përfaqësues legal, por vetëm përfaqësues ilegalë”, ka pohuar Thaci.

Kryeministri kosovar ka theksuar disa herë se qeveria e tij nuk është në konflikt me serbët që jetojnë në veriun e Kosovës.

Vetëm pak ditë më parë, ai deklaroi se qeveria e tij serbët, të cilët kanë mbetur peng të strukturave kriminale, i trajton si të barabartë.

Top Channel