Policë serb do të patrullojnë në disa qytete me shumicë shqiptare në Maqedoni, sic janë Tetova dhe Struga.

Ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska dhe kolegu i saj serb, Ivica Dacic, në Beograd kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim policor me të cilën parashihet që policë serbë të patrullojnë gjatë sezoneve turistike në qytete të Maqedonisë dhe anasjelltas.
 
Dy vendet po ashtu mund të shkëmbejnë forca policie në situata të caktuara, sidomos ato të rrezikut të lartë. Me këtë marrëveshje nuk pajtohen shumë qytetarët dhe politikanë shqiptarë të opozitës.

“Ne nuk kemi asgjë kundër bashkëpunimit rajonal ,por është sinjifikative gatishmëria e Qeverisë së Maqedonisë që të bashkëpunoj vetëm me qeverinë e Serbisë dhe nuk është një punë që i vjen erë e mirë. Mendoj që këta shqiptarë që janë në qeveri pak më thellë duhet të jenë të interesuar që ky bashkëpunim mos të jetë fryt i qëndrimit të përbashkët sepse të dy qeveritë janë anti shqiptare”, tha Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së.

Policia e Maqedonisë muaj më parë ka nënshkruar me Serbinë edhe një marrëveshje tjetër të rëndësishme sic është ajo për lëvizjen e qytetarëve pa pasaporta.

Ndërkohë që mësohet se një marrëveshje e ngjajshme me Shqipërinë nuk pritet të arrihet para vitit 2013 edhe pse Shqipëria i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme.

Top Channel