Vitin e fundit është rritur në mënyrë dramatike numri i presonave me Hiv/Aids në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik raporton 65 raste te reja, 3 prej të cilëve fëmijë.
Kjo është shifra më e lartë vjetore identifikuar ndonjëherë që nga shfaqja e rastit të parë në vitin 1993. Tanimë zyrtarisht në Shqipëri numri i personave Hiv pozitiv arrin në 478 raste. Cfarë bie në sy është se vazhdon të mbizotërojë transmetimi i virusit përmes rrugës seksuale. 92% e rasteve janë infektuar në këtë mënyrë. 82% e tyre janë heteroseksualë, ndërsa 10% homo ose biseksualë. Shumica e rasteve janë shumë të reja në moshë, 25-45 vjeç. 70% e tyre jane meshkuj dhe 30% femra.
Fatkeqësisht numri i fëmijëve mbërrin në 24 të prekur dhe këtë vit janë shënuar edhe dy vdekje të moshës pediatrike. Numri i testimeve vullnetare mbetet ende i ulët, çka tregon se shifrat e raporuara zyrtarisht janë vetëm maja e ajzbergut.
Në të gjithë botën raportohet se numri i personave që jetojnë me Hiv/Aids është 34 milionë dhe trajtimi përmes terapisë ka bërë që të rritet ndjeshëm jetëgjatësia e të prekurve. Që nga viti 1995 është parandaluar në këtë mënyrë vdekja e rreth 2.5 milionë njerëzve.
Megjithatë, sfida mbetet vaksina për shërimin e saj. Të dhënat e kërkimeve shkencore raportojnë arritje të suksessme dhe më në fund shpresë. E përditshmja amerikane “The Herald Sun”, duke i’u referuar kërkimeve të Duke University, Institutit të Shkencave dhe Matematikës në Karolinën e Veriut, tregon se arritjet për vaksinën parandaluese kanë arritur në një fazë shumë shpresëdhënëse.
Ky institut, i cili është pjesë e rrjetit kërkimor shkencor në të gjthë botën, raporton se zgjidhja është shumë më afër nga sa mendohet. Afatet akoma nuk bëhen të ditura, por të dhënat garantojnë se brenda pak vitesh, epidemisë më të madhe të shekullit, do t’i vijë fundi.
Top Channel