Fule: Topin e kanë shqiptarët

01/12/2011 09:45

Ndërkohë që ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaron se Shqipëria mund të fitojë statusin e vendit kandidat përpara publikimit të raportit të ardhshëm të progresit nga Komisioni Europian, ky institucion nuk e ka ende në plan një gjë të tillë.

Ndërsa Brukseli përsërit thirrjet për bashkëpunim dhe konstruktivitet mes palëve, ministrja bazon shpresat e saj tek opozita, njësoj sic vijon t’a fajësojë atë për dështimin e deritanishëm.

“Nuk është e vështirë edhe marrja e një pergjigjeje pozitive, ndoshta edhe përpara kalendarit të përcaktuar prej kohësh nga Komisioni Europian, i cili është ai i tetorit të vitit të ardhshëm. I referohem një qasje, e cila ka gjetur vend besoj në të gjitha vendet anëtare dhe në Komisionin Europian, është përkrahur nga Komisioni Europian dhe besoj se do të jetë prezente dhe në mbledhjen e Këshillit. I referohem qasjes që kur Shqipëria të tregojë që keto detyrime, sic ishte kthimi i opozitës në Parlament, votimi i ligjeve me 3/5, të cilat u bllokuan për më shumë se dy vjet, kanë ndryshuar dhe ky proces është një proces i cili nuk ka më hapa pas përsa i përket bashkëpunimit politik”, ka deklaruar Bregu.

“BE-ja do të jetë përsëri e gatshme dhe besoj se do të jetë e gatshme që të rishikojë vendimin e saj. Shpresoj shumë që brenda muajit dhjetor, ndoshta edhe përpara takimit të parlamentarëve, i cili do të bëhet javën e parë të dhjetorit në Tiranë, të kemi mundësi që të japim, të paktën përsa i përket detyrimit prej 12 pikësh, pra të Planit të Veprimit, të japim një sinjal ndërmjet Komisionit Parlamentar të Integrimit në Parlament dhe qeverisë shqiptare, në këtë rast Ministrisë së Integrimit, sepse jemi përfaqësuar ne përsa i përket pjesës së negocimit për Planin e Veprimit, për një rishikim të datave, afateve dhe për një riskrutinim”, ka vijuar ministrja.

Komisioneri europian Stefan Fule vlerëson si “vendimtare” zhvillimet e fundit politike, të cilat sipas tij mund t’a shndërrojne 2012 në vitin e mundësive.

“Jam i inkurajuar nga hapat vendimtare të Shqipërisë për ngritjen e konsensusit mbi një sërë reformash. Inkurajoj fuqimisht shumicën në pushtet dhe opozitën për qendrueshmërinë e këtij dialogu konstruktiv politik dhe të krijojnë një moment të ri drejt integrimit në Bashkimin Europian. 2012 mund të bëhet më në fund viti i mundesive”, ka deklaruar Fyle.

I pyetur nga TCH nëse ekziston një mundësi për marrjen e statusit kandidat në mes të vitit të ardhshëm, para raportit të radhës, Stefan Fule, megjithë dashamirësinë e tij, deklaroi se nuk ka parashikuar ndonjë plan tjetër konkret për Shqipërinë, përvec raportimit të përvitshëm në kuader të Këshillit të dhjetorit 2012.

“Degjo… Topi është atje ku i takon, tek krahu shqiptar. Mendoj se është e rëndësishme, përvec këtij qëndrimi, që ju keni krijuar një momentum, më në fund, e është e rëndësishme që të jepen rezultate. Është e rëndësishme që të jepen rezultate mbi 12 prioritetet kyce, e meqë ra fjala, gjyqësori, reforma e drejtësisë është një prej tyre. Ne mbetemi të gatshëm për të ndihmuar autoritetet shqiptare dhe të tjerë të interesuar për të bërë hapat e nevojshëm në dhënien e rezultateve mbi 12 prioritetet kyce. Pasi ata t’i japin rezultatet, ne do të kemi mundësinë për të rekomanduar qoftë hapjen e negociatave për anëtarësim, qofte nëse besojmë se progresi i bërë nuk e meriton ate ende, të paktën një status kandidat. Në këtë periudhë, unë nuk po planifikoj të synoj ndonjë Këshill tjetër (të BE-së), përvec atij të dhjetorit 2012, si dhe të përdor raportin e progresit të tetorit të vitit të ardhshëm. Ka dhe nga ata që thonë: asnjëherë mos thuaj kurre”, nënvizoi Fule.

Deklaratat e ministres Bregu dhe komisionerit për Zgjerim u bënë gjatë konferencës së radhës së organizuar nga Miqte e Europës për ecurinë e vendeve të Ballkanit në rrugën drejt BE-së.

Komisioneri Fule u takua me disa ministra të rajonit, por jo me ministren Bregu, e cila kishte parashikuar takime vetëm me disa eurodeputetë, si dhe takoi në ambjentet e Konferencës drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit Stefano Sanino. Përfaqësues të kësaj drejtorie u shprehën për TCH se pritshmëria e ministres është “e parakohshme”.

Edhe eurodeputetët Eduard Kukan dhe Hanes Swoboda vlerësuan si një hap të shumëpritur e të madh përpara të gjitha marrëveshjet dhe nismat e fundit politike që çojnë drejt normalizimit të klimës politike.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel