Pas 12 orë bisedimesh, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë nuk arritën
ndonjë marrëveshje mbrëmjen e së mërkurës, mbi çështjen e menaxhimit të
integruar të kufinjve.

“Në kuadër të diskutimeve është vërejtur se ende ka diferenca mes paklëve dhe prandaj nuk ka patur rezultate konkrete. Do të vazhdojmë për këto cështje dhe gjithë këto bisedime janë fokusuar në cështjen e menaxhimit të integruar të kufijve”, tha kryesuesja e delegacionit kosovar për negociatat me Serbinë, Edita Tahiri.

Ndërsa burime pranë zyrës së ndërmjetësuesit Robert Cooper njoftuan për një “progres të mirë”, për menaxhimin e kufijve në ditën e dytë të raundit të tetë, palët vijojnë në Bruksel bisedimet për cështje të tjera.

Nuk dihet ende sa do të zgjasin bisedimet e sotme, rezultatet e të cilave pritet të diskutohen edhe nga këshilli i ministrave të jashtëm që mbahet në të njëjtën ditë në Brulsel.

“Do të bisedojmë gjithashtu për Ballkanin Perëndimor, Serbinë dhe Kosovën. Siç e dini dialogu vijon edhe sot, në ditën e dytë të diskutimeve dhe jam e kënaqur që shoh se po merr formë”, tha Catherine Ashton, përfaqësuese e Lartë në BE.

Siç deklaruan disa zyrtarë të lartë të BEsë, nëse në bisedimet e sotme arrihet progres, Serbisë pritet t’i jepet sërish drita jeshile për marrjen e statusit kandidat në këshillin e 9 dhjetorit, proces ky që është vënë në rrezik nga incidentet e dhunshme në veri të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA