Brenda një periudhe fare të shkurtër, pamjet e ekstremistëve maqedonas që digjnin flamurin shqiptar kanë qarkulluar intensivisht në web site-t maqedonase.

Ngjarja ka ngritur shqetësimin tek partitë politike për nxitjen e nacionalizmit mes etnive, ndonëse secila palë e ka parë atë sipas këndvështrimit të saj.

Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme ka deklaruar se nuk ka njohuri dhe se nuk mund t’i identifikojë dot autorët që transmetojnë pamjet nacionaliste në faqet e internetit.

Mediat maqedonase kanë shkruar disa herë kohët e fundit se këto akte mund të nxisin shqiptarët që të kërkojnë bashkim kombëtar, si dhe urrejtjen e tyre ndaj maqedonasve.

Partitë politike shqiptare e kanë dënuar djegien e flamurit shqiptar, si dhe thirrjet nacionaliste kundër shqiptarëve.

“Ne e kishim paralajmëruar që javën e kaluar se mosreagimi i Federatës Maqedonase të Futbollit ndaj ngjarjeve të ndodhura në stadiumin e Prilepit dhe në stadiume të tjera, ku thirrjet anti-shqiptare ishin më se të qarta, do të sillnin reagime jashtë stadiumeve”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Ndërsa VMRO-DPMNE, duke anashkaluar djegien e flamurit shqiptar, ka shprehur indinjatën e saj vetëm për djegien e një flamuri maqedonas, e bërë në sheshin Skëndërbej të Shkupit, dhe e transmetuar në internet.

“Kjo është një vepër vullgare, e papranueshme dhe përcmuese, të cilën e dënojmë ashpër”, është shprehur partia e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Edhe LSDM ka dënuar djegien e flamurit, duke shprehur shqetësimin se incidente të tilla kanë ndodhur shpesh kohët e fundit. Partia në fjalë kërkoi një ndërhyrje urgjente të institucioneve.

Ndërsa partia tjetër shqiptare, PDSH ka deklaruar se përgjegjësia për këto akte të rënda bie mbi partitë në pushtet, në vecanti tek BDI-ja e Ali Ahmetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA