Dhuna e serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it, në Jagenicë, ka bërë që në
Kosovë të vijë komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në
Napoli, admirali Samuel Loklir, i cili përçoi mesazhin se dhuna është e
papranueshme dhe se KFOR-i rezervon të drejtën që t’i mbrojë me të
gjitha masat ushtarët e vet.

Ai tha se “njerëzit që u shkaktojnë dëm ushtarëve të KFOR-it, nuk janë demonstrues paqësorë dhe nuk punojnë  për të ofruar zgjidhje të mira”.

“Gjatë operacionit, armë të vogla zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara janë përdorur kundër ushtarëve të KFOR-it nga ‘elemente kriminale’, të cilat kanë luajtur rolin e demonstruesve legjitimë. Si rezultat i kësaj, ushtarët janë lënduar”, tha Loklir.

​​Ai kërkoi përmbajtje nga palët, ndërsa nënvizoi se zgjidhja për veriun, tashmë të bllokuar nga barrikadat, duhet të gjendet në dialogun politik.

“Më lejoni të them se zgjidhja për veriun duhet të gjendet përmes dialogut politik. Ajo që NATO-ja dhe forcat e KFOR-it mund të bëjnë, është që të përpiqen të ofrojnë një ambient paqësor, për të mundësuar një dialog të suksesshëm”, tha admirali Loklir në një konferencë për gazetarë, të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës.

Në anën tjetër, dhuna ka vazhduar edhe në ditën e martë në Jagnjenicë, vend ku, një ditë më parë, nga përplasja e serbëve me KFOR-in u lënduan 30 ushtarë. Dy nga ta u plagosën me armë zjarri, e të tjerët me koktej molotovi dhe mjete të tjera shpërthyese.

Sipas zëdhënësit të KFOR-it, Frenk Martin serbët përdorën gaz lotsjellës kundër ushtarëve.
 
“Protestuesit janë përpjekur të ngrenë një rrugë alternative. Ata zbrazën dy kamionë me zhavorr e dhe. Ata sërish përdorën gaz lotsjellës kundër trupave të KFOR-it. Për ta mbrojtur veten, ushtarët e KFOR-it përdorën po ashtu gaz lotsjellës. Situata nuk është më e qetë”, i tha Radios Evropa e Lirë Martin.

OSBE: Jo dhunës në Kosovë

Kryesuesi i radhës së OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Azhubalis ka dënuar të martën sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në veriun e Kosovës. 

“Çdo sulm ndaj paqeruajtësve ndërkombëtarë është i papranueshëm dhe asgjë nuk e arsyeton dhunën. Të gjithë të lënduarve iu dëshiroj shërim të shpejtë,” tha Azhubalis, bën të ditur Kosovatimes. “Duhet të ketë kthim në dialog paqësor dhe bashkëpunim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in. Çështjet e hapura duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe të përgjegjshme përmes dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga BE-ja, e jo përmes dhunës,” tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA