Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic iu ka bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të mos krijojnë probleme me trupat ndërkombëtare, pasi kjo bie ndesh me interesat e Serbisë.

Gjithashtu, Dacic ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të rëndohet nëse palët do të flasin në gjuhën e armëve.

“Ajo që ka ndodhur në barrikada është vetëm një grimcë krahasuar me atë që mund të ndodhë, prandaj është i nevojshëm dialogu”, citohet Dacic nga “RTK”.

Deklaratën e tij ministri i Brendshëm e ka bërë gjatë një vizite në Shkup, ku nënshkroi me homologen maqedonase një marrëveshje për bashkëpunim policor.

“Ekziston një presion i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe nëse Serbia merr kandidaturën e vetë do ta ketë më të lehtë të mbrojë qëndrimet e saj lidhur me Kosovën”, ka shtuar Dacic.

Deklarata e tij, e konsideruar si një paralajmërim, vjen pas asaj të bërë rreth një javë më parë, ku theksoi se Serbia duhet të jetë e gatshme të luftojë për të mbajtur Kosovën.


Shutanovac: Serbët të heqin barrikadat

Ndërsa ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në Kosovë është kritike dhe se është e domosdoshme që serbët në veri të largojnë barrikadat.

Këto komente Shutanovac i ka bërë pas një takimi me homologun norvegjez, Espen Bart Eide, raporton “REL”.

“Nuk mund t’i zgjidhim problemet nëse mbetemi të përcarë mes bllokadave dhe listave, si në Bruksel ashtu edhe në Kosovë”, ka deklaruar Shutanovac, i cili i ka bërë thirrje KFOR-it që të mos përdorë dhunë për largimin e barrikadave.

Norvegjia: Barrikadat, asnjë dobi për Serbinë

Nga ana tjetër, ministri norvegjez i Mbrojtjes, Espen Bart Eide, ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve nuk e con Serbinë askund.

Madje, zoti Eide ka theksuar se ekziston rreziku që procesi i integrimeve evropiane të ngadalësohet pikërisht për shkak të kësaj situate.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët që të jenë fleksibël dhe të përgjegjshme, në mënyrë që cështja të zgjidhet duke lënë të gjithë të kënaqur.

Gjermania: Beogradi të qetësojë serbët në veri

Ndërkohë, edhe ministri gjerman i Mbrojtjes i ka bërë thirrje Beogradit që të përdorë influencën e tij për t’u dhënë fund protestave të dhunshme në veri të Kosovës.

Ministri Tomas de Maiziere ka paralajmëruar se mungesa e një veprimi të tillë do të ndikojë në afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian.

“Unë besoj se ndikimi i Beogradit është i fortë dhe duhet të përdoret me më shumë autoritet për të arritur paqen. Këtë i kërkoj qeverisë serbe”, ka deklaruar De Maiziere.

Ministri gjerman ka sugjeruar më tej se shkurtimi i paralajmëruar i numrit të trupave të NATO-s në Kosovë për momentin nuk mund të bëhet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA