Sulmet ndaj KFOR-it në veri të Kosovës rrezikojnë dhënien e statusit kandidat për Serbinë në samitin europian të 9 dhjetorit nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje e rëndësishme në raundin e fundit të dialogut për këtë vit, që nisi të mërkurën në orët e paradites në Bruksel.
Nga ana e saj, kryesuesja e palës kosovare nuk harroi t’i mëshojë edhe moszbatimit nga pala serbe të marrëveshjeve të mëparshme.
“Problemi i parë me të cilin përballemi është dështimi i palës serbe për të zbatuar marrëveshjet. Edhe gjatë raundit të fundit të bisedimeve nuk mundëm të përmbushim planet e zbatimit. Madje u përballëm me tendenca e përpjekje të palës serbe për të rihapur çështje për të cilat jemi dakorduar më parë. Kjo për mua përbën një mungesë serioziteti në qasje e ndoshta një tendencë për t’i ikur përgjegjësive në lidhje me këtë dialog teknik”, deklaroi Edita Tahiri, Kryesuese e Ekipit Negociator kosovar.
Për bashkëpunimin rajonal, palët dukeshin afër një marrëveshjeje që prej raundit të kaluar. Por është menaxhimi i integruar i kufijve tema e nxehtë për të cilën, para takimit, palët përsëritën qendrimet e njohura për gjetjen e zgjidhjes, pa cënuar kushtetutën e vendeve respektive. Të pyetur nëse ndihen nën presion për statusin, serbët luajtën rolin e njohur të viktimës.
“Mund t’ju them se fjala ‘presion’ dhe ‘Serbi’ shkojnë me të vërtetë shumë mirë me njëra-tjetrën. Në historinë tonë të viteve të fundit i jemi përshtatur në një farë mënyre kësaj situate. Ne po përpiqemi t’i zgjidhim këto probleme pasi ato janë armiku ynë dhe janë shënjestra jonë. Kemi nevojë të përqëndrohemi në zgjidhjen e këtyre problemeve pa asnjë lloj presioni nëse duhet apo jo ta marrim statusin kandidat. Kandidatura është e rëndësishme për vendin tonë, por nuk përbën arsyen kryesore pse po i zhvillojmë këto bisedime. Mendoj se pas 9 dhjetorit vjen 10 dhjetori dhe 11 dhjetori, pra jam i sigurtë se dialogu me Prishtinën do të vazhdojë pavarësisht statusit kandidat për Serbinë”, thotë Borko Stefanoviç, kryesues i ekipit negociator serb.
Rezultatet e bisedimeve të së mërkurës do të shqyrtohen në takimin e Ministrave të Jashtëm që mblidhen në Bruksel të enjten, për të diskutuar pikërisht mbi Serbinë, Kosovën dhe Bosnjen. Paraprakisht, gjatë konferencës për Ballkanin, Ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar, u shpreh optimist për dhënien e statusit kandidat ndaj Serbisë nëse do të kishte rezultate në këtë raund bisedimesh me Kosovën.
Top Channel