Policia maqedonase interesohet për Aleancën Kuq e Zi dhe Lëvizjen Vetvendosje.
Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi në Maqedoni, të arrestuar të hënën në Tetovë pasi po vizatonin në mur flamurin kombëtar dhe hartën e Shqipërisë entike, thanë se inspektorët e policisë, më tepër i kanë pyetur për Kreshnik Spahiun dhe Albin Kurtin se sa për grafitet.
”Gjatë gjashtë orëve që jemi mbajtur në polici jemi marrë në pyetje nga sigurimi i shtetit. Ka pasur tentime edhe për korrupsion. Janë parashtruar pyetje të lidhjes tonë me Aleancën Kuq e Zi në Tiranë dhe Lëvizjen Vetvendosje në Prishtinë. Është kërkuar nga ne të japim informacion për Kreshnik Spahiun, ku takohemi me të dhe për z.Albin Kurtin, si dhe aktivitetet e këtyre organizatave”, deklaroi njëri prej të ndaluarve dhe aktivist i “AK”-së në Maqedoni, Valon Kurtishi.
Arrestimin e aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi e ka dënuar ashpër Partia Demokratike Shqiptare, e cila me këtë rast akuzoi subjektin shqiptar në pushtet, BDI-në, se nuk është në gjendje të mbrojë flamurin kombëtar dhe po lejon përbaltjen e tij.
”Ndërkohë që flisnin që nuk do të lejonin të përbaltej flamuri kombëtar u burgosën katër aktivistë të sektorit civil, vetëm e vetëm sepse me grafit vizatuan flamurin kombëtar. Ndërkohë që flasin që nuk do të përbaltet flamuri kombëtar, le të japin llogari se çfarë masash kanë ndërmarrë për kapjen dhe izolimin e atyre që përbaltin jetën e shqiptarëve duke i’u kujtuar dhoma gazi”, deklaroi deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela.
Akuzave të PDSH-së i’u kundërpërgjigj BDI përmes deputetës Ermira Mehmeti. “Djemtë që u arrestuan dje u liruan menjëherë dhe e dyta, akoma më e rëndësishme, është sjellja zhgënjyese e politike e PDSH-së. Në ditën e flamurit, qyteti që llogaritet baza e shqiptarëve të Maqedonisë, Tetova dhe që udhëhiqet nga kjo parti, ngeli i pastolisur qoftë edhe me një flamur kombëtar”.
Ndërkohë, drejtuesit e Aleancës Kuq e Zi në Maqedoni kërkuan nga faktori politik shqiptar në vend, sidomos ai qeveritar, që përfundimisht ta zgjidhin çështjen me përdorimin e simboleve kombëtare.
Top Channel