Rexhepi: Forcë proporcionale ndaj serbëve

29/11/2011 00:00

Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi ka deklaruar se KFOR-i,
EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet të përdorin forcë proporcionale ndaj
protestuesve serbë në veri.

I cituar nga “RTK”, Rexhepi ka vlerësuar se vetëpërmbajtja maksimale e ushtarëve të KFOR-it u ka krijuar serbëve idenë se mund të bëjnë atë që dëshirojnë.

“Unë disa herë e kam thënë se KFOR-i dhe policia duhet të përgjigjen në mënyrë proporcionale në vartësi të situatës. Por, nëse dikush është shumë i dhunshëm dhe rrezikon jetën e ushtarëve të KFOR-it, atëherë ne do të përdorim të njëjtën gjuhë”, ka pohuar Rexhepi.

Më tej ministri i Brendshëm ka shprehur bindjen se pavarësisht rezistencës së grupeve radikale serbe, në veri të Kosovës do të vendoset rendi dhe ligji.

“KFOR-i, EULEX-i dhe policia do të ndërmarrin masa të përbashkëta që përkundër rezistencës në veri, qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë, siguria, rendi dhe ligji”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka nënvizuar se vendi i ka të gjitha potencialet për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe që në bashkëpunim me KFOR-in t’u tregojë serbëve se nuk mund ta mbajnë atë në duart e tyre.

“Veprimet e policisë së Kosovës do të jenë të koordinuara me KFOR-in dhe EULEX-in, prandaj situata do të menaxhohet bashkarisht në mënyrë që të mos përshkallëzohet”, ka shtuar Rexhepi.

Reagimi i Rexhepit vjen pas ngjarjeve të së hënës, kur në mëngjes u plagosën me armë zjarri dy ushtarë të KFOR-it, ndërsa më vonë gjatë mbrëmjes edhe 20 ushtarë të tjerë nga dhuna e serbëve.

Top Channel