Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj denoncoi fuqishëm qeverinë e Serbisë, e cila nëpërmjet struktuarve paralele serbe dhe narrativës luftarake po pengon paqen dhe stabilitetin.

“Ne asnjëherë nuk do të pranojmë për një vend aspirant sikurse Serbia që të minojë shtetësinë e Kosovës, dhe të kontrollojë pjesë të territorit, përmes strukturave ilegale të sigurisë. prandaj ne besojmë që ka ardhur koha për Serbinë që t’i largojë këto bllokada rrugësh, të shpërndajë strukturat e saja të sigurisë dhe të pranojë modelin e menaxhimit të integruar të kufijve, ndërmjet dy shteteve”, tha kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj tha se qeveria kosovare do të bëjë cdo përpjekje të komunikojë me serbët e Kosovës dhe se Kosova do të ushtrojë të drejtën legjitime për të siguruar paqen në tërë territorin e saj.

“Ne nuk do të pranojmë status-quo dhe as ndarje etnike”, tha ai. 

Edhe për ambasadoren e SHBA në OKB, Kosova ka të drejtë të të kontrollojë kufijtë e vet, dhe ajo që ka bërë Prishtina zyrtare për të ushtruar këtë të drejtë nuk është veprim i njëanshëm.

“Kosova, pra, ka të drejtë të kontrollojë kufijtë e saj dhe të sigurojë sundimin e ligjit në bashkëpunim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. Nuk mund të konsiderohet veprim i njëanshëm kur Kosova të vendosë kontrollet kufitare. Kosova ka koordinuar përpjekjet e saj me bashkësinë ndërkombëtare duke përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, tha Ambasadorja e SHBA në OKB Rozmari Di Karlo.

Ndërsa, përfaqësuesi rus, Vitali Churkin shfrytëzoi hapësirën e tij për të thënë se veprimet e njëanshme janë të papranueshme, ndërsa ka bërë thirrje për dialog, për një zgjidhje të qëndrueshme.

“KFOR-i është duke bërë presion mbi serbët. Vetëm dje gjatë heqjes së një barrikade janë shënuar shumë të lënduar në të dyja anët, dhe komanda e KFOR-it po lëshon kërcënime për sulme, dhe është shumë e dukshme për ne që kjo lloj situate mund të shmangej”, deklaroi Vitali Churkin. 

Ndërsa, në fjalimin e tij, Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ka thënë se Serbia është e gatshme për dialog paqësor për të zgjidhur problemet në veri, ndërsa dënon veprimet e njëanshme. Sipas tij, duhet të gjendet një mënyrë për heqjen e barrikadave.

Top Channel