Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë Ambasada Shqiptare në Romë organizoi një takim që këtë herë kishte një shije disi më të veçante.
Këtë vit në Itali është kujtuar përvjetori i 20-të i emigracionit masiv shqiptar dhe ky përvjetor u kujtua edhe me rastin e pritjes në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve italiane dhe të komunitetit shqiptar.
Me këtë rast ambasada shpërndau dhjetë diploma mirënjohjeje për emigrantë të suksesshëm në fusha të ndryshme, për shoqatat më të angazhuara dhe për portalin e informacionit në gjuhën shqipe “Shqiptari i Italisë”.
“Është një moment uniteti. Përshëndes shoqatat tona që janë në gjithë botën që të shprehet kultura jonë sa më mirë kudo që të jetë”, tha Edmond Godo, përfaqësues i komunitetit shqiptar pranë Komunës së Romës
“Ndihem krenar që jam shqiptar dhe besoj se që sot e tutje do punoj më tepër”, u shpreh Alfred Mirashi.
“Jam shumë i kënaqur që shqiptarët mblidhen me njëri-tjetrin kujtojnë Festën e Flamurit. Sepse duke jetuar diku tjetër jashtë Shqipërisë, jeta është indivduale dhe shyqyr që janë këto festa që ne mblidhemi. Dua të uroj për festat dhe të jemi të gjithë të bashkuar dhe të duam njëri-tjetrin”, tha regjisori, Edmond Budina.
Ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, i cili është i angazhuar përkrah emigrantëve, ka bërë që ky takim i përvitshëm të mos jetë vetëm një pritje institucionale, por një rast i mirë afrimi dhe njohjeje të ndërsjelltë.
“Festuam bashkë edhe me arbëreshët sepse këto ditë edhe Italia ka pasur 150 vjetorin e bashkimit, ku abrëershët kanë luajtur një rol të madh në këtë”, deklaroi Llesh Kola, Ambasadori shqiptar në Romë.
Top Channel