Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka kërkuar të hënën ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit mes serbëve të veriut të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare në këtë vend.

Reagimi i Tadic vjen pas një incidenti të ndodhur gjatë paradites në fshatin Jagnjenicë, ku mbetën të plagosur disa ushtarë të KFOR-it.

“I ftoj zyrtarët e KFOR-it, EULEX-it, si dhe përfaqësuesit e serbëve që të kontribuojnë në qetësimin e situatës dhe sigurisë, si dhe për kthimin e lirisë së lëvizjes vetëm përmes dialogut dhe pa përdorur dhunën”, ka deklaruar Tadic.

Ai ka theksuar se jetët e qytetarëve serbë në veri të Kosovës duhet të ruhen, ashtu sikurse ato të trupave ndërkombëtare, “të cilat kanë si mision vendosjen e sigurisë”.

Tadic ka vijuar më tej duke thënë se, “liderët politikë të serbëve të veriut duhet t’i pengojnë ekstremistët që vënë në pikëpyetje sigurinë personale të bashkëqytetarëve dhe të dërguarve ndërkombëtarë në Kosovë”.

“Vetëm paqja, dialogu dhe zgjidhja e problemeve mund të na nxjerrin nga situata e krizës”, është shprehur më tej presidenti serb.

Nuk është hera e parë që Tadic bën deklarata të tilla, por duket se ato nuk janë serioze, pasi strukturat serbe në veri të Kosovës vazhdojnë të pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in.

Analistët e cështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se politika e Beogradit zyrtar po vazhdon të jetë e dyanshme, në njërin drejtim me përpjekje për të mos prishur raportet me Brukselin dhe në drejtimin tjetër me qëllimin ta mbajë nën tension situatën në veri të Kosovës.

Javën e kaluar, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy i bëri të qartë Tadic se, Brukseli pret më shumë garanci nga Serbia për angazhimin e saj në bisedimet me Kosovën.

Edhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin deklaroi se vendi ballkanas nuk e ka të sigurt marrjen e statusit të kandidatit më 9 dhjetor, për shkak të qëndrimit në procesin e dialogut me Prishtinën.

Top Channel