“Shqip”: Tjetërsimi i pavarësisë

28/11/2011 21:40

Në një seri dedikuar tërësisht 99-vjetorit të pavarësisë, historianët Arben Puto, Paskal Milo dhe Artan Lame, debatuan mbi këtë ditë të shënuar në emisionin “Shqip”, të Rudina Xhungës. Ceremonitë e ndara në Tiranë dhe në Vlorë apo tendenca për të zhvendosur epiqendrën e festimeve në kryeqytet, është ajo që shqetëson kryesisht historianët.

“Mënyra se si u festua ditën e sotme në kryeqytet më la një shije të mirë dhe organizimi ishte me të vërtetë i mirë, por shoh me shqetësim se festimet nuk i përmbahen traditës në përkujtimin e festës sonë. Duket sikur duan ta marrin nga Vlora dhe ta sjellin në Tiranë”, shprehet Puto. “Kam shkëputur dy shprehje të kryebashkiakut Basha. Disa ditë më parë, në mbledhjen me familjet e Tiranës që ndihmuan pavarësinë. Ai nis fjalimin duke thënë me “rastin e shpalljes së 99-vjetorit të Tirnaës”. Ç’është kjo Tiranë? Është pavarësia e Shqipërisë. Familjet e vjetra të kryeqytetit i falenderon dhe gjithashtu thotë se ato, në momention kryq të historisë, luajtën një rol të rëndësishëm me ngritjen e flamurit në Tiranë. Duket sikur duan të ndërrojnë radhën e vlerëve. Në Tiranë, flamuri u ngrit në datën 26 nëntor, por kjo ishte një ngjarje lokale. Kështu ndodhi edhe në Durrës apo disa qytete të tjera. Nuk jam kundër përkujtimit, por në një nivel lokal dhe nuk duhet të bëhet një çështje kombëtare”.

Një mendim të ngjashëm ndan edhe politikani e historian Milo. “Përpjeket bëhen për vitin tjetër. Këto janë të gjitha parapërgatitje për t’i dhënë dimensione të tjera 100 vjetorit të 2012-s”, supozon Milo. “Këto festime fokusohen në kuadrin dhe ndryshimin e interpretimit të historisë kombëtare në përgjithësi. Në këto tentativë, politika e mazhoranca që qeveris dëshiron t’i vërë vulën një historie tashmë tradicionale që s’është bërë nga regjimi komunist, por është festuar edhe nga regjimi në kohën e Zogut e në çdo kohë tjetër. Po përpiqet të spostohet boshti i kontributeve historike, për ta rikthyer historinë në shërbim të punëve të ditës dhe rikrijimit të kulteve. Monument tjetër i pavarësisë në Tiranë është në kuadrin e kësaj dhe është i turpshëm që vetëm mendohet. Çdo të thotë kjo? Do të ishte njësoj sikur muslimanët të ngrinin një Mekë të dytë. Vlora është Meka e pavarësisë. Personalisht, do të isha pro ndërtimit të një monumenti të Ismail Qemalit në një vend të dukshëm në Tiranë, si themeltar i shtetit shqiptar, por jo një monument pavarësie”.

Nga ana e tij, Artan Lame nge një tjetër problem shqetësues, atë të lënies në harresë të monumenteve të mëdha, që tashmë po rënohen dita ditës. “Për mua, është e kotë që të flasim për projektet e Kryeministrit, sepse ato ndryshojnë përditë dhe sepse vijnë nga një realitet tjetër. Ai na lëshon idenë e një momumenti të dytë të pavarësisë dhe ne rimë merremi me këtë. E vërteta është deklaratë të tilla lëshohen vetëm për konsum të përditshëm. Kryeministri do të bënte më mirë të mendonte se si të nderojë ato përkujtimore që ne i kemi. Të mendojë të restaurojë Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë dhe të heqë kioskat përpara saj, të restaurojë muzetë e monumentet në çdo qytet të Shqipërisë. 100-vjetori është një fjalë serioze, edhe sepse i hap rrugën shumë 100-vjetorëve të tjerë të shënuar. Do të vijë 100-vjetori i Lushnjes, i Nolit, Zogut e me rradhë shumë të tjerë. Kjo është një çështje delikate dhe duhet të bëjmë çmos që tendencat për të rishkruar historinë në këto ngjarje të ndërpriten që në zanafillë”.

Milo: Disa firmëtarë të pavarësisë “devijuan”

Në vijim të fjalës së tij në “Shqip” historian Paskal Milo vlerësoi se disa nga figurat që firmosën aktin e pavarësisë në Vlorë, me kalimin e kohës dolën nga parimet e tyre patriotike duke “dorëzuar” lirinë.

“Dokumentacionet e huaja kanë një përshkrim për disa nga firmëtarët e pavarësisë, që nuk i bën nder figurave të tyre. Kanë qenë disa që pas firmosjes së pavarësisë kaluan me austro-hungarezët, me italianët dhe në krye qendron Esat Pasha i të gjithëve, e që në fund përfundoi si i francezëve”, deklaroi zoti Milo duke shtuar se peshorja farmaceutike e historisë duhet t’i lihet historisë dhe historianëve. Ai u bëri thirrje të gjithë klasës politike dhe politikanëve shqiptarë që t’ua lënë shkencëtarëve dhe historianëve në dorë historinë.

Top Channel