Po nëse euro “vdes”?!

28/11/2011 00:00

Përkeqësimi i krizës europiane përtej parashikimeve më pesimiste, duke
vënë në pikëpyetje tani edhe vetë ekzistencën e euros, ngre shqetësimin
se cilat do të jenë pasojat në Shqipëri.

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani thotë se në një skenar të tillë, efektet janë të shumëfishta.

“Euro lidhet shumë me BE-në, BE-ja është vizioni ynë dhe kështu na prishet vizioni. Rikthimi në monedhat kombëtare do të vinte si një ortek nuk do të ishte kaq i butë. Ekonomitë e vendeve përkatëse do të kenë goditje. Mund të kalojnë në krizë, në recesion shumica e tyre, në mos të tëra. Për pasojë ne kemi 70 përqind të eksporteve tona në këto vende, ndaj ne do të merrnim goditje. Tjetër efekt ndoshta do të ishte paniku financiar, bankar qoftë edhe politik”, thotë Cani.

Vec efekteve negative në dërgesat e emigrantëve apo investimet e huaja, shqetësime ka edhe për atë se cfarë do të ndodhë në tregun valutor.

“Kursi i këmbimit është një nga treguesit makro, që merr goditje ose jep goditje në të gjithë treguesit e tjerë. Praktika shqiptare e ka treguar se sa herë ka lëvizje të kursit,sidomos në nëncmim që pritet, gjithnjë cmimet rriten dhe me rritjen e tyre vijnë të gjitha efektet në ekonomi”, sqaron Cani.

Ndërsa tek financat publike efektet do të ishin të kundërta, ku borxhi i qeverisë mund të lehtësohej, por rezerva kombëtare do të goditej.

“Borxhi që Shqipëria ka në euro, prishja e monedhave dhe dobësimi i euros, natyrisht na krijon një avantazh në fillimet e veta, sepse do të na duhen më pak lekë për të blerë euro, që do të shlyejmë borxhin. Rezervat tona valutore janë 60 përqind në euro. Një dobësim i euros do të sjellë një dobësim të rezervave tona valutore”, shton Cani.

Në këto kushte ish-guvernatori thotë se Shqipëria duhet të përgatitet me një plan rezervë, për t’i paraprirë një skenari të tillë.

“Bota po punon për këtë zhvillim të mundshëm. Edhe Shqipëria duhet të punojë. Kursi i këmbimit ka plan B, rezerva valutore ka plan B, p.sh: Krejt natyrshëm Banka Qendrore duhet të mendojë nëse do ta mbajë 60 përqind në euro rezervën valutore, apo do të nisë ta kthejë që tani më shumë në dollarë, në një monedhë tjetër”, thotë Cani.

Top Channel