Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një vendim në favor të Shkupit lidhur me aktpadinë e ngritur ndaj Athinës, për shkeljen e një marrëveshjeje të vitit 1995, që ka të bëjë me emrin kushtetues të Maqedonisë.
Lajmin e bën të ditur gazeta greke “Kathimerini”, e cila iu referohet burimeve zyrtare pranë gjykatës së Hagës, që nënvizojnë se epilogu i procesit ka qenë në favor të Maqedonisë.
Shkupi pretendonte se me shkeljen e marrëveshjes së vitit 1995, Athina bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, në samitin e Bukureshtit, në vitin 2008.
Sipas së përditshmes, një argument kyc për vendimin e Hagës kanë qenë deklaratat e ish-kryeministrit Kostas Karamanlis dhe ish-ministres së Jashtme Dora Bakojanis, të cilët paralajmëruan vendosjen e vetos ndaj integrimit të Maqedonisë.
Megjithatë, shton më tej gazeta, vendimi i gjykatës nuk e detyron dot Greqinë që të mos bllokojë më proceset evropiane të Maqedonisë.
Vendimi zyrtar i procesit gjyqësor do të publikohet më 5 dhjetor nga vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shton më tej “Kathimerini”.
Përvec anëtarësimit në NATO, Greqia me veton e saj po bllokon edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Maqedonisë dhe BE-së, pavarësisht rekomandimit pozitiv në raport-progresin e KE.
Në fund të muajit të kaluar, shefi i atëhershëm i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis deklaroi se Shkupi nuk po tregon vullnet politik për tejkalimin e kontestit të emrit.
Ndërsa rreth një javë më parë, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se vendi i tij nuk do të sakrifikojë dinjitetin e vet për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.
Top Channel