Clayer rrëfen nacionalizmin shqiptar

28/11/2011 22:00

Historiania franceze Nathalie Clayer, e cila ka shkruar një libër për nacionalizmin në Shqipëri, “Origjina e Nacionalizmit Shqiptar”, tregon në emisionin “Shqip” punën e saj disavjecare.

“Për librin tim mbi Shqipërinë mu dëshen 10 vjet, pasi kam punuar në arkiva të ndryshme si në Vjenë, pasi Austro-Hungaria ka luajtur një rol shumë me rëndësi, në Stamboll, Romë e Paris, si dhe në Tiranë natyrisht. Pastaj kam kaluar një kohë të gjatë në analizimin e fakteve të mbledhura”, rrëfen Clayer, e cila në bazë të kërkimeve të saj flet për gjenerimin e nacionalizmit në vendin tonë.

“Nacionalizmi është një rrymë transnacionale. Edhe në Perandorinë Osmane u zhvilluan disa nacionalizma. Situata e perandorisë kundrejt Evropës dhe shteteve të tjera në Ballkan ka ndikuar shumë për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar”, tregon Clayer.

Sipas historianes, nacionalizëm shqiptar është krijuar edhe në Itali, përmes shqiptarëve arbëreshë, ndërsa faktorët që sipas saj kanë ndikuar në krijimin e këtij fenomeni kanë qenë disa.

“Ka pasur shumë faktorë. Një faktor është zhvillimi i shkollës, zhvillimi i leximit, politika e Austro-Hungarisë ose e Italisë, si dhe politika e sulltanit që shtynë autoritetet osmane në vitet 1860 të ngrinin më shumë shkolla”, shprehet Clayer.

“Në këtë mënyrë niveli i arsimit tek shqiptarët myslimanë u lartësua dhe ideja e nacionalizmit ishte më e pranishme tek të rinjtë që shkonin nëpër shkolla”, thekson ajo. Më tej historiania prek edhe periudhën e pavarësisë së Shqipërisë, duke e vënë theksin tek figura e Ismail Qemalit, i cili sipas saj nuk ka qenë personaliteti kyc për këtë eveniment të rëndësishëm.

“Ismail Qemali ka shfrytëzuar nacionalizmin shqiptar për disa qëllime që kanë qenë më shumë të lidhura me politikën në nivelin e perandorisë. Ai ka pasur qëllime me shumë osmane sesa shqiptare. Bashkë me disa të tjerë ai shpalli pavarësinë në një moment kur nuk ka pasur asnjë zgjidhje tjetër”, thotë Clayer.

“Ai ka sunduar vetëm disa ditë, ndërkohë që ka pasur një komision ndërkombëtar dhe persona të tjerë, si Hasan Prishtina, që ndoshta e kanë krijuar më shumë Shqipërinë se Ismail Qemali”, vijon më tej historiania.

Top Channel