Artjola, vajza me jetë të dytë

28/11/2011 20:40

Robert Rogner, është jo vetëm Konsull Nderi i Shqipërisë, por edhe një nga njerëzit që ka ndihmuar Shqipërinë dhe shumë shqiptarë.

Artjola, ose vajza e tij sic e thërret ai me përkëdheli, është një nga fëmijët që ai i dhuroi një tjetër jetë.

“Unë e vendosa spontanisht të ndihmoj Artjolën për sëmundjen e saj dhe m’u desh të vendosja shumë shpejt sepse ajo do të kishte pak ditë jetë nëse do të qendronte në Shqipëri. Gëzohem shumë që ajo është shumë mirë dhe gëzon shëndet të plotë. Ajo kaloi shumë muaj në një klinikë në Austri dhe ajo u kthye e shëruar  me shëndet të plot. Kjo është një kënaqësi e madhe që s’mund të përshkruhet me fjalë  dhe që nuk ka cmim..Të shpëtosh një jetë është shumë e rëndësishme dhe kjo s’mund të ndodhte nëse do të qendronte në Shqipëri”, deklaroi zoti Rogner.

Para një viti, 15-vjecare luftonte me vdekjen. Ajo ishte diagnostikuar me leucemi, dhe sëmundja e saj kishte përparuar. Asaj i kishin mbetur vetëm pak ditë jetë. Por sot pas një viti, ajo ka mundësi të ëndërrojë.

“Është një rilindje për së dyti, më e mirë se e para. jam më aktive dhe më e qeshur. Unë e kujtoj atë si njeriun që më shpëtoi jetën dhe si më të mirin e më të ëmblin. Duhet të jemi krenar që zoti Rogner po bën kaq shumë për ne”, tha 15-vjecarja, Artjola.

Mësuesja e Artjolës, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje të thellë i ka dhuruar zotit Rogner në emër të shkollës një pikurë dhe një certifikatë.

“Mirënjohje dhe falenderime pafundësisht nga zemra, t’ju kemi sërish mes nesh. Mes këtyre fjalëve ka shumë lotë gëzimi”, tha mësuesja Vjollca Gjergji.

Festat e Nëntorit do të ndihen ndryshe për fëmijët e pavionit të hematologjisë. Robert Rogner, Konsulli i Nderit të Shqipërisë, ka vendosur që t’i dhurojë fëmijëve të këtij reparti të cilët vuajnë sëmundje të rënda një shumë prej 10 mijë eurosh.

“Artjola u shërua dhe gëzon shëndet të plotë, por shoh se ka dhe fëmijë të tjerë që duan ndihmë, dhe do t’u dhuroj 10 mijë euro fëmijëve në spital. Ka dhe shumë fëmijë të tjerë që kërkojnë ndihmë ndaj vendosa fëmijët që vuajnë me leucemi, t’i ndihmoj duke i dhuruar 10 mijë euro. Kjo është një nismë që nuk ndalon tek Artjola, por dicka që duhet  të shkojë para”, thotë Rogner.

Shefja e pavionit të hematologjisë, Anila Godo, tha se kjo është një ndihmë e vyer për fëmijët e këtij pavioni, kurimi i të cilëve është shumë i shtrenjtë.

“Unë ju falenderoj me zemër, në emrin tim, stafit tim, por mbi të gjitha në emër të fëmijëve dhe prindërve për këtë gjë të mrekullueshme që ju po transmetoni”, tha zonja Godo.

Robert Rogner, ka  qenë një nga investitorët e parë në Shqipëri dhe ka dhënë donacione në mënyrë të vazhdueshme.

Top Channel