Festa e 28 Nëntorit është shënuar në të gjitha qytetet e banuara me shqiptarë në Maqedoni. Gjatë ditës, rrugët e Shkupit kanë qenë të mbushura me qytetarë të stolisur me flamuj kombëtarë.
Liderët politikë, Ali Ahmeti, Menduh Thaci dhe Rufi Osmani kanë uruar të gjithë shqiptarët dhe krerët e institucioneve të Shqipërisë me rastin e Ditës së Flamurit.
Në këtë ditë, kryetari i komunës Çair, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar nisjen e punimeve për ndërtimin e sheshit ‘Skenderbej’ në Shkup, në një sipërfaqe prej prej 20 mijë metra katrorë. Ai ka thënë se ky shesh do të jetë gati për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
“Po fillojmë punimet e një sheshi madhështor, i cili ka shumë dimensione historike sesa arkitektonike. Dimensionin e bashkimit, se ai nuk përçan por bashkon, bashkon tradita dhe kultura të ndryshme, të renë dhe të vjetrën”, deklaroi Mexhiti.
Me rastin e 28 Nëntorit, në Gradec të Gostivarit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka zbuluar bustin e Mehmet Pashë Derallës, ministrit të parë të Mbrojtjes në qeverinë e Ismail Qemalit, bashkë me pllakat përkujtimore për varrezat e 163 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1915.
“Këta njerëz që sot ne i ngremë në përmendore, ideali i tyre ka qenë që edhe kjo pjesë e shqiptarëve të jetojnë të lirë”, ka deklaruar Ahmeti.
Festimet për Ditën e Flamurit shqiptar në Shkup përmbyllen në mbrëmje me një koncert ku performojnë këngëtarë nga shqiptarë nga të gjitha trevat.
Top Channel