Euro vazhdon të bjerë

27/11/2011 00:00

Thellimi i krizës së eurozonës dhe shqetësimet e ngritura se këto mund të jenë ditët e fundit të euros, po e rrëzojnë monedhën europiane me shjpejtësi në tregjet ndërkombëtare të valutës.

Të premten euro arriti pikën më të ulët ndaj dollarit amerikan në dy muaj, në një tendencë dobësimi që vazhdon prej katër jave më radhe.  

Aktualisht një euro po këmbëhet në tregjet ndërkombëtare me rreth 1.32 dollarë amerikanë nga 1.42 që këmbehej në fund të muajit të kaluar. Kjo tendencë e dobësimit të euros është reflektuar edhe në tregun shqiptar.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, që nga ditët e para të muajit, euro është dobësuar ndaj lekut me 1.1 për qind. Të dhënat tregojnë se që nga fillimi i muajit euro është zhvlerësuar thuajse cdo ditë.

Aktualisht euro po këmbëhet në treg me një kurs mesatar prej 140.05 lekë, kur në fillim të muajit ajo shitej me 141.65 lekë.

Besimi tek monedha europiane në tregje po lëkundet seriozisht nga zhvillimet që po ndodhin në Eurozonë, ku kriza vazhdon të thellohet, aq sa tani po flitet se euro si monedhë mund të shpërbehet.

Pasiguria në tregje mbetet e lartë dhe Eurozona është duke përjetuar një makth ekonomik. Ende bashkimi europian dhe qeveritë e vendeve anëtare nuk po gjejnë një zgjidhje përfundimtare për krizën.

Hezitimi i Gjermanisë dhe ndasitë që ekzistojnë mes vendeve anëtare e kanë përkeqësuar krizën përtej edhe parashikimeve më pesimiste, saqë tani po vihet në dyshim edhe vetë ekzistenca e Bashkimit Europian.  

Top Channel