Në prag të festës së flamurit, kreu i opozitës shqiptare EdiRama viziton Prishtinën. Kryetari i Partisë Socialiste u prit në selinë e qeverisë nga kryeministri kosovar Hashim Thaci, të cilit i përcolli mesazhin, se politika shqiptare është e bashkuar për Kosovën.
“Kosova është një nga ato pika të palëvizshme dhe bashkuese për gjithë klasën politike në Shqipëri. Ne jemi të gjithë një dhe s’ka asnjë dallim mes qeverisë dhe opozitës përsa i takon rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe rrugës së një kombi të bashkuar shqiptar drejt Evropës”, deklaroi Rama.
“Në bashkëpunimin mes dy vendeve një rol të rëndësishëm po luan edhe opozita shqiptare. Kjo vizitë bëhet në prag të festave të nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe ditës së Adem Jasharit, të cilat na mbledhin së bashku. Uroj gjithë shqiptarët për këto festa”, u shpreh nga ana tjetër Thaci.
Gjatë takimit kreu socialist i prezantoi kryeministrit kosovar programin e ri të partisë, ku përfshihet një propozim për unifikimin e sistemit arsimor në Shqipëri dhe Kosovë.
“Pata kënaqësinë t’i dhuroj kryeministrit një kopje të programit tonë të ri, të PS dhe opozitës shqiptare, ku një ide e rëndësishme që zhvillojmë në aspektin e arsimit është ideja e një sistemi të unifikuar arsimor mes Kosovës dhe Shqipërisë për t’u dhënë mundësi të gjithëve që të arsimohen brenda të njëjtit sistem”, saktësoi Rama.
Nga ana e tij kryeministri Thaci u kujdes që gjatë konferencës për shtyp të përgëzonte zotin Rama për librin e tij, sic e quajti ai, një punë mjeshtërore. Ndërkohë që vizita e zotit Rama në Prishtinë vijon pikërisht me promovimin e librit “Kurban” në mjediset e Muzeut Historik.
Rama mbërriti në Kosovë pas një vizite në Bruksel, prej nga akuzoi qeverinë shqiptare se po përpiqet të fshehë krizën financiare që po kërcënon vendin.
Top Channel