Votohet në parim buxheti 2012

25/11/2011 00:00

Kuvendi miratoi me 74 votat e maxhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2012 pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 14 orë.

Seanca nisi me diskutimin e kryeministrit, i cili theksoi se ky buxhet është në shërbim të qytetarëve.

“Rritja e rrogave dhe e pensioneve është qëllimi i parë më madhor i këtij buxheti. Kjo është një politikë konstante e kësaj qeverie, e paprecedentë ndonjëherë në histori, një politikë e cila ka bërë që nga viti 2006, në vitin 2012 rroga mesatare e shqiptarëve të rritet me 120 përqind, rroga minimale dhe pensionet minimale të rriten po me 120 përqind. Kjo politikë ka bërë që fatura sociale e kësaj qeverie, për të mbrojtur fytyrën e saj njerëzore, zemrën e saj të dhimbsur të rritet për pensionet nga 480 miliardë, në 1.040 miliardë”, tha Berisha.

Opozita voti kundër draftit.

Por më parë Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci, i ofroi qeverisë një marrëveshje për votim konsensual nëse ajo do të plotësonte disa kushte, ku i pari ishte ai per uljen e taksës për pagat e ulta.

“Të paguajmë ne më shumë dhe hiqja mësuesit policit, fermerit. Jeni dakord që TVSH-ja e bukës, miellit, qumështit, vezëve të kushtojë 17 përqind më pak sic ju kemi propozuar? Sot një litër naftë për fermerët shqiptarë blihet 1700-1800 lekë. Hiq TVSH-në për fermerët dhe për inputin e bujqësisë. Sot popullata paguan 20 % TVSH për energjinë elektrike, ule atë në 6 % dhe ne do votojmë buxhetin. Jeni dakord që të ngrejmë një komitet të përbashkët që të zgjidhim njëherë e mirë ccështjen e pronës. Ne jemi gati”, tha Gramoz Ruci.    

Por qeveria nuk pranoi asnjë nga propozimet e opozitës. Kryeministri Berisha i cilësoi ato si një politikë të dështuar.

“Harrojeni se do kthehet taksa e Marksit ndonjëherë në Shqipëri. Ajo ishte taksa që i mjeroi shqiptarët dhe i zhyti në mjerimin më të thellë në historinë e tyre. Ishte taksa që i bëri shqiptarët të punojnë 7 muaj për qeverinë”, tha Berisha.

“Këto që bëni ju janë thjesht për të treguar bolshevizmin tuaj dhe se sa ju digjet ju shpirti për shtresat në nevojë dhe tani dilni edhe me propozimin e TVSH-së. Kush më thotë mua që po të ulet TVSH-ja do të ulet cmimi i mallrave. Ju nuk keni për të ardhur kurrë në pushtet, po sikur një ditë të vini do iu dal përpara dhe do t’ju them kur do ta ulni atë TVSH-në”, tha Ministri i Financave, Ridvan Bode. 

Ndërkohë deputeti socialist Erion Brace, tha se draftbuxheti, ashtu si të gjitha politikat e qeverisë i shërben vetëm një grushti të ngushtë njerëzish.

“Familja juaj u shtua me 200 metra katrorë sipërfaqe banimi, e kryetares së kuvendit me 670 metra truall, partneri juaj i koalicionit me 200 metra në bllok dhe 317 metra në plazh, ministrja e Integrimit me 200 metra pranë Parkut dhe 50 metra në plazh, ministri i Arsimit ka blerë truall në Tiranë, 400 metra katrorë dhe apartament 48 metra në Gjermani, ministri i Punës ka blerë apartament në Tiranë 106 metra katrorë, ministri i Inovacionit ka blerë apartament 130 metra katrorë, gjithsej 3121 metra katrorë dhe kjo po i shtohet 5 mijë metrave katrorë të një viti më parë. T’i gëzoni! Por ju, kur shtoni pasurinë brenda një viti kaq shumë, përse refuzoni të paguani më shumë për këtë pasurim tuajin?”, tha Brace.

Një tjetër pikë e nxhetë debati që kanë dy palët politike, është ajo e financave publike. Arben Malaj, ish-ministër socialist i financave, një nga zërat me kritikë ndaj politikës së deficiteve të larta, thotë se Shqipëria tani ndodhet në kushtet kur duhet të ndërhyjë me urgjencë për të ulur borxhin, ndryshe vendi rrezikon krizë të rëndë.

“Sfidat tona të së ardhmes janë të mundshme vetëm nëse do të ndalet kriza buxhetore, nëse do të ulet deficiti e borxhi, nëse do të bëhen reformat që ushqejne më mirë rritjen tonë ekonomike. Vonesat e marrjes së angazhimeve të përgjegjësive të përbashkëta, janë të pajustifikueshme. Duhet të reduktojmë frikën e pasigurinë, sepse ato shumëfishojnë impaktet negative mbi ekonominë”, tha Malaj.

Ndërsa Berisha tha: “Ju bëheni të pashpresë! Unë prisja që ju do të vinit këtu me buxhet të votuar në komisione. Unë do të votoja me ju, nëse ne do të sillnim një buxhet me deficit buxhetor 5 ose 6 përqind; unë do të votoja me ju në rast se ne do të sillnim një buxhet në të cilën borxhi publik do të shkonte 70 përqind, unë do të votoja me ju në rast se do të synohej të përdoreshin manovrat inflacioniste, për qëllim utilitariste”.

Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm parashikon 355 miliardë lekë të ardhura dhe 396 miliardë lekë shpenzim. Borxhi i ri që qeveria parashikon të marrë vitin tjetër është 41 miliardë lekë ose 3 për qind e prodhimit kombëtar.

Bashkë me buxhetin Kuvendi miratoi edhe dy ligje të tjera që synojnë të lehtësojnë gjendjen e rënduar financiare të KESH-it, atë që e shndërron faturën e saj si titull ekzekutiv dhe ligjin e dytë që i heq koorporatës detyrimin për të furnizuar me energji bizneset e mëdha, që konsumojnë më shumë se 50 milionë kilovat orë në vit.

Ruci për TCH: Ja propozimet tona

Në një prononcim për Top Channel, kreu i grupit parlamentar socialist, shpalosi “kushtet e opozitës për kalimin e projektbuxhetit”:

1. Të hiqet TVSH-ja për pagat mesatare. Këtu futen mjekët, policët, infermierët etj. Jemi gati ta votojmë projekt/buxhetin nëse pranohet ky propozim.

2. Sot shqiptarët paguajnë dy herë më shumë TVSH për ushqime si miell, vezë, vaj etj. Duam që të përgjysmohet TVSH-ja për këto produkte.

3. Shqiptarët paguajnë 10% TVSH për shërbimet shëndetësore. Duam që sistemi shëndetësor të vihet në binarë që tu shërbejë të gjithëve. Propozojmë të hiqet TVSH-ja për shërbimet shëndetësore.

4. Duam që të ulet çmimi i naftës sepse është dyfishuar krahasuar me vitin 2004 dhe nuk ndihmon bujqësinë.

5. Popullata paguan 20% TVSH për energjinë elektrike. Duam që të ulet në 6%.

6. Sot ka TVSH për librat e nxënësve. Duam që të hiqet TVSH-ja për këto libra.

7. Mazhoranca vazhdon të tregohet hileqare me të përndjekurit politikë. Ata që janë 75 vjeç e sipër duhen dëmshpërblyer.

8. Mazhoranca tregohet hileqare me pronarët. Duam të ngrihet një komitet i përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi.

“Këto janë propozimet tona. Kjo nuk është një ofertë populiste, por një ofertë që opozita e shtron sepse jemi në kushtet e një varfërie ekstreme. Janë propozime realiste për të zgjidhur hallet e qytetarëve”, theksoi Gramoz Ruçi.

Top Channel