Qeveria e Kosovës duhe ta ndërpresë retorikën e përditshme në lidhje me
krizën në veri të vendit dhe të përballet seriozisht me atë, përmes
veprimeve konkrete institucionale.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë, duhet që t’i japin fund agonisë që ka kapluar veriun dhe të vendoset rendi sipas Kushtetutës së Kosovës.

Këto kanë qenë dy nga kërkesat e Komisionit Kuvendor për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, në një mbledhje të jashtëzakonshme, të mbajtur vetëm pak kohë pasi plagosjes se 21 ushtarëve të KFOR-it dhe shpërthimit që ndodhi në Mitrovicë te “Tre rrokaqiejt”.

“Komisioni konsideron se katër muajt e kaluar kanë mjaftuar për të gjithë mekanizmat e sigurisë që të identifikojnë aktorët e veprimeve kriminale, metodat me të cilat janë shërbyer ata, por njëkohësisht edhe prezencën e drejtpërdrejt të instrumenteve të shtetit serb, i cili po bën agresion në territorin e Kosovës”, tha Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.

Në anën tjetër, numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, ka mirëpritur rekomandimet e Komisionit, dërsa ka thënë se do të veprojnë në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in, e grupet që mbështeten nga Serbia do t’i binden ligjit.

“Besoj që rekomandimet e Komisionit do t’i marrim shumë seriozisht, do të shohim mundësitë dhe kapacitetet tona, do të jemi në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in dhe ajo çka mund të them, është e vërtetë që atje është një situatë e paqëndrueshme, është një ambient ku një grup i mbështetur nga Qeveria e Serbisë po i sfidojnë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por ne jemi të vendosur gjithnjë në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in dhe ata do t’i binden ligjit, do të përballen me ligjin dhe atje do të sundojë rendi dhe ligji”, tha Hajredin Kuçi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.

Zëvëndëskryeministri Kuçi ka shtuar se durimi i Qeverisë do të jetë brenda kornizës që është në Kushtetutë e ligj, dhe se sipas tij do të përdoren mjetet kushtetuese dhe ligjore për ta mbrojtur rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës. Kuçi ka thënë se ka informacione të vërtetuara që në Veri ka pjestarë të MUP-it serb, ndërsa deklaratën e zëvëndëskryeministrit serb Ivica Daciqit që kërcënon me luftë, e ka cilësuar si ato të Milloshevicit. “Unë kam menduar se duke u rritur ai ndryshon, por duket që ka qenë i njëjti që ka qenë fëmijë”, është shprehur Kuçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA