Kryeministri kosovar Hashim Thaci u ka bërë thirrje serbëve të veriut që të shohin drejt Prishtinës, pasi atje është dhe perspektiva e tyre.
Gjatë përurimit të një shkolle në fshatin Runik, Thaci ka deklaruar se mbi 40 mijë qytetarë serbë kanë mbetur peng i strukturave kriminale serbe, të cilat sipas tij do të përballen me ligjin.
Sipas raportimeve të “RTK”, kryeministri ka dhënë garancinë se qeveria e tij i trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e saj.
“Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, të cilëve u garanton mundësi të barabarta”, ka deklaruar Thaci.
Duke ritheksuar se qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me banorët serbë të saj, kreu i ekzekutivit kosovar ka premtuar investime në zonat me shumicë serbe në veri.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të bërë investime të reja të cilat do të përmirësonin jetën dhe mirëqënien e qytetarëve”, ka shtuar Thaci.
Reagimi i Thacit vjen pasi një anketë e ICO-së tregonte se presioni i Beogradit dhe frika e humbjes së punës kanë qenë një ndër arsyet kryesore që i kanë cuar serbët e veriut në barrikada.
Ndërsa të dhëna të tjera tregojnë se, pavarësisht thirrjeve të Beogradit dhe drejtuesve ilegale të komunave veriore të Kosovës, serbët zgjedhin të pajisen me dokumenta kosovare.
Top Channel