Londër, greva kërcënon aeroportin Heathrow

25/11/2011 17:30

Aeroporti Heathrow në Londër ka paralajmëruar linjat ajrore se pasagjerët mund të përballen me vonesa deri në 12 orë javën e ardhshme, kur policia e emigracionit pritet të mbajë një grevë lidhur me pensionet.

Operatori i aeroportit, BAA ka zhvilluar një sërë bisedimesh me Agjencinë Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar dhe me përfaqësuesit e linjave ajrore, me qëllim minimizimin e pasojave të grevës së paralajmëruar për të mërkurën.

Kryeministri David Cameron deklaroi se impakti i grevës ndaj porteve dhe aeroporteve të Britanisë është i pashmangshëm, por garantoi se kufijtë do të jenë të sigurtë.

“Maksimumi do të ketë radhë të mëdha dhe njerëzve do t’u duhet të presin pak më gjatë në kufij”, deklaroi zëdhënësi i kryeministrit.

Ai shtoi se qeveria është ende duke punuar mbi një plan për zgjidhjen e situatës dhe po analizon pasojat e mundshme të grevës së oficerëve.

Ndërkohë, në një letër dërguar të gjitha linjave ajrore që veprojnë në Heathrow, shefi i operacioneve të aeroportit, oficeri Norman Boivin tha se pasagjerët në mbërritje mund të vonohen deri në 12 orë.

“Vonesat në zyrat e emigracionit do të jenë kaq të gjata, saqë pasagjerët nuk do të jenë shumë rehat në terminalet e tyre”, deklaroi zyrtari.

“Kjo situatë do të krijojë një “qark të shkurtër”, që do të shoqërohet me mungesa të hapësirave të parkimit për avionët, anulime fluturimesh, si dhe probleme të tjera për avionët që vijnë nga jashtë Britanisë”, shtoi ai.

Top Channel