Egjipt, qendrat elektorale dy ditë hapur

25/11/2011 19:00

Ditët elektorale për zgjedhjet e para legjislative në Egjipt, të parat pas rënies nga pushteti të Mubarak, do të jenë dy dhe jo një.

Lajmi bëhet i ditur në një dekret të firmosur nga këshilli ushtarak, në të cilin nuk jepen detaje të mëtejshme.

Gjithësesi, mësohet se i pari nga tre turnet elektorale të zgjedhjeve legjislative do të nisë të hënën e ardhshme.

Ndërkohë, mijëra manifestues kanë braktisur sheshin Tahrir ku ishin mbledhur gjatë paradites, për të bllokuar rrugën që të con tek selia e këshillit të ministrave.

Ata synojnë të pengojnë hyrjen e kryeministrit në detyrë Kamal El Ganzuri. Manifestuesit mbajnë parulla të tipit “Jashtë, jashtë” dhe “Populli do ta përzërë marshallin”, duke iu referuar kreut të këshillit ushtarak egjiptian.


Demonstratat e ditëve të fundit
në Kajro janë më të fuqishmet që kanë ndodhur në vend, që prej rrëzimit të regjimit të presidentit Mubarak, në muajin shkurt.

Qytetarët kundërshtojnë këshillin ushtarak, i cili kërkon që të jetë një autoritet suprem, që të japë fjalën e fundit për cdo vendim të rëndësishëm të vendit.

Pretendenti kryesor për të fituar zgjedhjet është fraksioni i Vëllezërve Myslimanë, i cili megjithatë nuk ka marrë pjesë në protestat që zgjasin prej ditësh.

Top Channel