Gjatë aksionit të KFOR-it në veri të Mitrovicës pas mesnatës së të enjtes për heqjen e barrikadës janë lënduar 21 ushtarë të KFOR-it.

Ndërkohë nuk dihet saktë për numrin e serbëve të lënduar, por raportohet se disa serbë kanë kërkuar intervenim mjekësor për shkak të gazit lotsjellës.

Gjatë këtij aksioni të KFOR-it, paqeruajtësit janë gjuajtur me gurë nga serbët.

Lajmi për lëndimin e ushtarëve është konfirmuar nga zyrtarët e KFOR-it.

Ndërkohë mësohet se dy nga 21 ushtarët janë të lënduar rëndë.

Sipas zyrtarëve të këtij misioni aksioni është marrë plotësisht me mandatin e forcave të Nato-s, për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes.

Megjithatë nuk sqarohet se përse trupat paqeruajtëse janë tërhequr  nga kjo pik pas largimit të barrikadës. Ku është mundësuar vendosja e menjëhershme e bllokadës së re.

Mësohet se, trupat hungareze të KFOR-it janë tërhequr edhe nga barrikada tjetër në vendin e quajtur ‘Kërshin e Dudës’.

Ndërkohë, një shpërthim ka ndodhur rreth ores 01:30 të së enjtes, afër “Tre Rrokaqiejve” të banuar me shqiptarë.

“Në afërsi të zonës së “Tre rrokaqiejve” është rregjistruar një shpërthim. Besohet se është përdorur një granadë dore e tipit M-75 një prodhim ish-jugosllav, ndërsa tre automjete civile kanë pësuar dëme materiale. Nuk ka të lënduar nga ky shpërthim”, deklaroi zëdhënsi i Policisë, Besim Hoti.   

Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç. Ai ka shkuar aq larg sa ka kërcënuar me luftë. Sipas tij, askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është e humbur dhe se nuk do të luftohet për të. 

“Thaçi duhet ta dijë se me sulmin ndaj serbëve në Kosovë, ai sulmon Beogradin. Serbia këtë nuk mundet ta shikojë ashtu qetë”, ka shtuar Daçiç.

Top Channel