BERZH, kredi 3 milionë euro për dy HEC-e

24/11/2011 08:30

BERZH mbështet investimin në sektorin privat për prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri nëpërmjet një kredie prej 3 milionë eurosh për kompani private vendase, për të financuar ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla në verilindje të vendit.

Sipas gazetës “Shqip”, nëpërmjet mbështetjes së kredisë nga BERZH, do të ndërtohen dy hidrocentrale, Cerruja 1 dhe Cerruja 2 në lumin Benj, 140 kilometra në verilindje të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Me një kapacitet total prodhues prej 5.1 MW, do të prodhohet deri në 14.7 GWh energji elektrike në vit dhe do të ndihmojë në kompensimin e 9,500 tonë CO2 në vit.

“Ndërtimi i hidrocentraleve të Cerrujës përbën investimin e parë privat në prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri në shumë vite”, tha Fabio Serri, drejtor i zyrës së BERZH në Shqipëri.

Financimi i BERZH është bërë nëpërmjet linjës direkte të financimit të Bankës për Energjinë e Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Kredia vjen në një moment kur qeveria shqiptare shpreson të fitojë 100-150 milionë euro nga shitja e katër hidrocentraleve të mesëm që së fundmi u shkëputën nga bilanci i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të krijuar një kompani të re. 

Top Channel