SHBA, “përplasja” e fundit e republikanëve

23/11/2011 16:30

Tetë kandidatët republikanë për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përballen në debatin e fundit televiziv, përpara nisjes së procesit të gjatë të përzgjedhjes.

Përpara një audience të formuar nga ekspertë të politikës ndërkombëtare, kandidatët u përgjigjen për çështje si shkurtimet në mbrojtje, problemi i Iranit dhe i sigurisë së kufinjve.

Temat mbi ekonominë dhe shëndetin kanë qenë ndër momentet kyç të debateve të mëparshme. Takimi shënoi një rritje të madhe në sondazhe të ish-folësi të Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, i cili së bashku me guvernatorin e Masaçusetsit, Mitt Romney, konsiderohet si kandidati potencial më serioz i Obamës.

Në fjalën e tij, Romney kundërshtoi ashpër idenë e Obamës për të financuar “revolucionin e tij shëndetësor”, me paratë e shkurtuara nga fondi i mbrojtjes. Nga ana e tij, Gingrich përshtati një qëndrim më të paqartë mbi këtë çështje, duke thënë se “është e qartë që ka disa gjëra që Pentagoni mund t’i bëjë po aq mirë, me më pak para”.

Mbi Pakistanin, qëndrimi i Romneyt ishte më i ashpri, pasi kandidati foli për “nevojën e sjelljes së këtij shteti në shekullin e 21-të”, ndërsa tjetër favorit, Rick Perry, kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave për këtë shtet.

Mbi çështjen afgane, ideja më e pëlqyer u duk ajo e Gingrich, i cili është pro tërheqjes së trupave, por me kusht që qeveria e Kabulit të ndihmohet në luftën e saj ndaj terrorizmit nëpërmjet bombardimeve të avionëve të telekomanduar.

Irani i bashkoi dy kandidatët kryesorë. “Nëse vendoset një embargo totale mbi produktet e naftës iraniane, pushteti do të rrëzohet nga brenda për jo më shumë se një vit”, parashikoi Gingrich, ndërsa Romney theksoi se nëse zgjidhet president, vizita e tij e parë shtetërore do të jetë në Izrael.

Interesant edhe qëndrimi i një tjetër kandidati, senatorit Huntsman, i cili u shndërruar në zërin e vetëm midis republikanëve që kritikoi hapur ndërhyrjen e NATO-s në Libi. Procesi i seleksionimit do të nisë në datën 3 janar.

Top Channel