Kroacia mbështet Kosovën, tërësinë territoriale dhe rrugëtimin e saj për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Një porosi të tillë e ka sjellë në Kosovë, Luka Bebic, Kryetar i Kuvendit të Kroacisë. Kreu i kuvendit kroat ka mbajtur një fjalim para deputetëve në parlamentin kosovar, në një seancë të organizuar me ketë rast, ku prezentë ishin dhe Presidentja e Kryeministri i Kosovës.

“Dua t’ju them që Kroacia përkrah në mënyrë të vecantë tërësinë territoriale të Kosovës dhe dëshiron të zhvillojë marredhënie të vecanta me Kosovën dhe ta përkrahe në zhvillimin e saj. Stabiliteti është garanci e zhvillimit dhe për këtë arsye vlerësoj rolin e organizatave botërore, vecmas NATO-s dhe BE-së të cilat për shumë vjet japin kontribut për këtë pjesë të botës. Kroacia ka qenë pjesë e brutalitetit, por nuk duhet të jetojmë me këtë histori por të ecim përpara. Por viktimat dhe luftën ne nuk e harrojmë dhe kurrë nuk do ta harrojmë”, tha Luka Bebić.

Ndërsa, kreu i Kuvendit të Kosovës, duke folur për situatën në veri, ka kërkuar nga bota demokratike që të ushtrojë presion mbi Serbinë për të hequr dorë nga politika që po ndjek, siç është krijimi i bandave kriminale në atë pjesë, duke ndërhyrë rëndë në sovranitetin e Kosovës.

“Bota demokratike duhet të ushtrojë presion mbi autoritetet serbe që të heqin dorë nga politika që po ndjek. Përkundër politikës aktuale serbe, ne do të vazhdojmë të dërgojmë mesazhet e paqes dhe të mirëbesimit, të pajtimit e të bashkëpunimit, sepse besojmë fuqishëm se kjo është e ardhmja e të dy vendeve në Bashkimin Europian”, deklaroi zoti Krasniqi.

Po ashtu Krasniqi ka njoftuar homologun e tij se shumë shpejt komuniteti i vogël kroat që jeton në Kosovë do të njihet si komunitet pakicë, ndërsa për këtë vetë Babic u shpreh se pakicat nuk janë barrë, por vlerë e shoqërisë dhe se ata pak kroatë kanë jetuar me shekuj në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA