Egjipt, thirrje për më shumë protesta

22/11/2011 00:00

Përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në qendër të Kajros vazhduan edhe gjatë të martës në ditën e katërt të dhunës në Egjipt.

Sipas mediave, 33 persona kanë humbur jetën ndërsa nuk është e qartë nëse Këshilli Suprem Ushtarak, që drejton vendin do të pranojë dorëheqjen e qeverisë së tranzicionit.

Aktivistët egjiptianë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestat që kanë si qëllim t’i japin fund sundimit ushtarak që zëvendësoi ish-presidentin Hosni Mubarak.

Rreth 20 000 protestues sfidues ndaj rrezikut, demonstruan në sheshin “Tahrir”, pavarësisht numrit të lartë të viktimave dhe të plagosurve. Protestuesit dhe policia u përfshinë në përleshje të ashpra rreth Ministrisë së Brendshme në Kajro.

Sipas analistëve, protestat aktuale janë tepër të forta dhe pritet që të shtohen ndjeshëm, pasi tashmë aktivistët në Egjipt janë bashkuar dhe kanë lënë pas ndarjet ideologjike dhe fetare.

Sipas priotestuesve, ushtarakët po përpiqen që të përforcojnë pushtetin e tyre duke sjellë në vend një tjetër diktaturë.

Dhuna dhe tensioni janë shtuar në Egjipt ndërsa mungojnë vetëm 6 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme. Ushtria ka ngulur këmbë se procesi nuk do të shtyhet, megjithëse tashmë është vënë në dyshim siguria e votës.

Top Channel