Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif ka kërkuar nga përfaqësuesit e serbëve të veriut që të lejojnë kalimin e KFOR-it dhe EULEX-it.

Gjatë një takimi me ta, Zarif ka bërë thirrje që të ruhet paqja dhe që të krijohet një atmosferë e përshtatshme për dialog mes palëve.

“Kryetarët e komunave i kam lutur që të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që KFOR-i dhe EULEX-i të kenë liri lëvizjeje sipas rezolutës 1244”, citohet Zarif nga “REL”.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit serbë kanë ritheksuar se kjo do të bëhet e mundur vetëm nëse EULEX-i heq dorë nga transporti i doganierëve dhe policëve kosovarë në Bërnjak dhe Jarinë.

Megjithatë, shefi i UNMIK-ut ka përsëritur apelin që në veri të Kosovës të ruhen paqja dhe stabiliteti dhe që të shmangen përballjet e dhunshme.

Serbët e veriut shprehën një ditë më parë pakënaqësinë lidhur me përfaqësimin që bën Beogradi në raport me Kosovën, duke kërcënuar me shpalljen e pavarësisë së veriut të shtetit të ri.

Kjo ide, sipas shumë analistëve serbë, do të vuloste një “jo” të madhe për statusin e kandidatit të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, kjo pakënaqësi bëri që disa shoqata që përfaqësojnë serbët e Kosovës të kërkonin disa ditë më parë nënshtetësi ruse për ta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA